PSD organizon tryezën e radhës të partive politike

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 18:27 | Nga

Të hënë do të mbahet tryeza e thirrur nga Partia Socialdemokrate, ku temë diskutimi do të jetë çështja e dialogut me Serbinë. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën zyrtari i PSD-së, i cili ka thënë se sot u kanë dërguar ftesë të gjitha subjekteve politike në vend.

Me ftesë të Partisë Socialdemokrate të Kosovës, subjektet politike do të mblidhen edhe njëherë në një tryezë të përbashkët, të hënën më 18 qershor. Lajmin për Radio Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Shkodran Hoti. Sipas Hotit, PSD-ja tashmë ua ka nisur ftesat të gjitha subjekteve politike, duke i njoftuar me kohën dhe temën e mbajtjes së tryezës.

“Tryeza do të organizohet me datën 18 qershor në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Partia Socialdemokrate tashmë u ka dërguar ftesa të gjitha subjekteve politike dhe i ka njoftuar për datën dhe temën që do të diskutohet në këtë tryezë”, tha Hoti.

Përderisa dy subjektet opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, temë të tryezave kishin mundësinë e caktimit të zgjedhjeve, Partia Socialdemokrate, kësaj here, ka njoftuar se në tryezë do të diskutohet për dialogun me Serbinë. Shkodran Hoti, thekson se dialogu mbetet çështja më aktuale, prandaj edhe është parë e arsyeshme që tryeza të thirret me këtë temë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme