PSD preferon një president i cili frenon “tendencat autoritariste të Kurtit”

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 08:03 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtari i Partisë Social Demokrate, Nol Nushi, thotë se Kosova ka nevojë për një president që frenon tendencat autoritariste të kryeministrit Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Nushi tha se kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, nuk është zgjedhja e duhur, pasi nuk përfaqëson unitetin politik.

“Sigurisht që nuk mendojmë se Vjosa Osmani është zgjedhja e duhur për presidente, pasi në këtë mënyrë po përfundon cikli i kapjes së institucioneve kryesore nga një subjekt. Pra kemi kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe nëse zgjidhet presidentin do ta kemi persona që e përfaqësojnë një subjekt politik që është VV-ja. Në këtë mënyrë i shuhet ajo vlerë institucionale që e ka posti i presidentit i cili duhet të shërbej si ruajtës i balancave politik. Unë ende kam shpresë që kjo nuk do të ndodhë, nuk është puna vetëm me personin konkret por edhe me personin konkret, e cila është një figurë përçarëse dhe mjaftë e anshme për t’u thënë që mund të bëhet presidente unifikuese, ajo ka pozicione shumë të qarta karshi partive politike, të cilat përfaqësojnë një masë shumë të madhe të elektoratit, unë nuk kam dëgjuar se do të mbahet nesër (sot, e premte), por Kosova ka nevojë për një presidente që frenon tendencat autoritariste të Kurtit”, tha ai.

Tutje, Nushi tha se çështja e presidentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike brenda Kuvendit, dhe jo të përdoret shantazhi i numrave, pasi kjo mënyrë e rrezikon demokracinë.

“Nuk është shumë te personat konkret siç thash, është më shumë te marrëveshjet politike që bëhet përmes Kuvendit Kosovës, jo rastësisht kërkohen 2/3 të qëndrojnë në sallë që të votohet presidenti i Kosovës, pra vet Kushtetuta jonë, e ka bërë të detyrueshme kompromisin në politik. Nuk është këtu fituesi i zgjedhjeve i merr të gjitha postet. Pavarësisht rezultatit, kompromisi duhet të jetë i detyrueshëm. Gjuha e shantazhit të numrave është e papranueshme, është gjuhë që tenton ta nënshtrojë tjetrin dhe kjo është e rrezikshme për demokracinë”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Në anën tjetër, anëtari i PSD-së thotë se Kurti do të dorëzohet karshi kërkesës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Së pari qeveria e re na ka gënjyer, ka thënë që prioritet e ka të gjashtë ose të shtatë, pastaj e qiti prioritet të katër dhe në ditën e parë të qeverisjes tij kur është emëruar kryeministër, punën e parë që bëri është mori pjesë në një tryezë online për dialogun. Ne e kemi pa qysh secili takim me ambasadorë që diskutohet është tema e dialogut që duhet të fillojë shpejt dhe të kryhet shpejt me atë që po shohim nga deklarata, pasi nuk kemi informacione të brendshme. Pozicioni i Kurtit është pozicion i BE-së që po kërkon me ngul themelimin e Asociacionit me komuna me shumicë serbe, që është një marrëveshje që e kemi diskutua atëherë, dhe tashmë nuk po e dëgjojmë VV-në të flet një gjë për të. Këta e ka kusht nga BE-ja, ata e kanë zgjedh këtë pozicion edhe gradualisht ka me u nënshtrua edhe brenda këtij pozicioni. Është një gënjeshtër e shumëfishtë që i është bërë elektoratit, kur ka dalë Kurti në fushatë nuk ka përmend asnjë plan se si do t’i qaset kësaj teme, pavarësisht që ne si PSD kemi thënë që ka me qenë tema kryesore, pasi dy ose tri qeveri të fundit janë rrëzuar për shkak të dialogut. Të fitosh zgjedhjet me kaq shumë vota dhe të mos kesh program për temën kryesore është mashtrim i qytetarëve, edhe njëjtë me mashtrim do të përfundojë edhe tendenca e Kurtit për ta përfunduar këtë çështje”, tha ai.

Nushi thekson se është e nevojshme arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, pasi kjo do t’i ndihmonte bashkëpunimit rajonal.

“Për ne si PSD është e nevojshme arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellët në këtë mënyrë që t’i hapet rrugë, jo largimit nga njëra-tjera, por bashkëpunimit rajonal, pasi perspektiva e vetme aktuale, është bashkëpunimi rajonal me shtetet e rajonit, pasi avancimi në BE është i pamundur, jo për fajin tonë por për fajin e BE-së”, u shpreh ai.

Të ngjashme