PSD: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës i hap rrugë një epoke të re për Maqedoninë

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka dhënë qëndrimin e partisë rreth referendumit të mbrëmshëm mbi Marrëveshjen e Prespës në Maqedoni ku ka bërë thirrje partive politike të atjeshme që të marrin përgjegjësinë që takon për ta zbatuar këtë marrëveshje dhe për të hapur rrugën e NATO-së dhe të BE-së për vendin, si parakusht për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në rajon.

PSD thotë se pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve në referendum është për t’u përshëndetur. Ajo dëshmon vullnetin për një Maqedoni demokratike, ndryshe nga ajo në të cilën ata kanë jetuar deri më tani. Vota e shqiptarëve dëshmoi sërish se shqiptarët e Maqedonisë janë faktor përcaktues i kahjes së vendit dhe se ata domosdoshmërisht duhet të trajtohen barabarësisht dhe ta kenë vendin e duhur politik në Maqedoninë e re.

Sipas PSD shqetësues është niveli i mospjesëmarrjes i cili ka ardhur si pasojë i mospastrimit të listave të votuesve dhe i thirrjeve për bojkot, kryesisht nga figurat e caktuara shoveniste të VMRO-DPMNE. Thirrjet e tilla mëtonin ta bllokonin Marrëveshjen e Prespës dhe ta kthenin Maqedoninë në pikën zero. Qëllimi i kampit të bojkotit mbetet shfrytëzimi i izolimit të Maqedonisë, për ta shndërruar atë në sentiment nacionalist e ksenofob për kalkulime të ngushta politike.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës i hap rrugë një epoke të re për Maqedoninë, atë të marrëdhënieve mes shteteve të rajonit. Marrëdhënie këto që duhen ndërtuar sipas parimeve të barazisë, fqinjësisë së mirë dhe reciprocitetit, e bashkëpunimit të sinqertë. Çdo plan tjetër e çon Maqedoninë dhe tërë rajonin drejt të panjohurës”, shkruhet në komunikatë.

‘Më shumë se kurrë, Maqedonia ka nevojë për lidership politik. Është detyrë e drejtuesve të partive politike dhe e deputëve të Kuvendit të Maqedonisë që të marrin përgjegjësinë që u takon për ta larguar vendin nga fantazmat e së kaluarës. Arritja e konsensusit politik për integrimin e vendit në NATO dhe në BE përmes Marrëveshjes së Prespës është test i jashtëzakonshëm i pjekurisë demokratike për Maqedoninë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia të lë prapa njëherë e përgjithmonë trashëgiminë politike nacional-shoveniste, korruptive e neoliberale të Gruevskit, që të lëvizet përpara me krijimin e një hapësire të re barazie mes qytetarëve, e reforma institucionale e ekonomike që krijojnë mirëqenie për shumicën, dhe e luftojnë kapjen e shtetit e ekonomisë nga pakica”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme