Pse po dështon koalicioni LV-LDK

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Duke dëgjuar akuzat e ndërsjella që po ja bëjnë njëra tjetrës LV dhe LDK ditëve të fundit, jo vetëm që mund të konstatohet se po shkohet me hapa të shpejt në drejtim të kundërt me arritjen e marrëveshjes për krijimin e qeverisë, por se këto akuza, ofendime e fajësime, tashmë nuk janë komunikime ndërpartiake për ta bërë qeverinë në të mirë të vendit, por janë një fushatë e re politike parazgjedhore. Vështruar dhe analizuar me kujdes arsyet e mos arritjes së marrëveshjes LV-LDK mund të konstatohet pa dilemë se është më mirë që kjo përpjekje të dështoj tani, sesa të krijohet qeveria dhe si determitë e mospajtimeve dhe përçarjeve në të ardhmen qeverisëse dëmet të jenë edhe më të mëdha edhe me mundësi të vogla për ti parandaluar.

Shkruan: Faton Abdullahu

1) Mungesa e besimit të ndërsjellë – LV dhe LDK kanë paragjykime deri në paranojë të pariparueshme për njëra tjetrën. Ato në të vërtetë janë ndier shumë të ofenduar bile edhe të nënçmuara se ju është dashur të bëjnë koalicion me njëra tjetrën. Në LDK janë të shumtë ata që mendojnë se, LV është parti kundër institucioneve dhe identitetit shtetëror të Kosovës, se në thelb ata nuk janë pro amerikan por janë të majtë ekstrem, se kauza e tyre për bashkim kombëtar është aventurë e rrezikshme, se metodat e punës së tyre partiake kanë përbrenda element gjysmë klandestinë me prirje për të vepruar me mjete delikuente dhe po qe nevoja edhe kriminale dhe se kryetari i tyre është një njeri të cilit ambicia shfrenuese për pushtet ja rrezikon fatin Kosovës. Në anën tjetër në LV janë të shumtë ata që mendojnë se në LDK shkelin të gjitha parimet për të ardhur apo për të mbet në pushtet, se nuk kanë luftuar në luftë dhe se janë frikacak e të pabesë në paqe, se për shumë gjëra janë të njëjtë me PDK-n, por vetëm të qenit frikacak nuk i lë të bëhen më të këqij se ata, se kanë trashëgimi të mendësisë pro-jugosllave në politikë e kulturë prej të cilës kurrë nuk lirohen plotësisht dhe se kanë në krye të partisë një pionier të kësaj mendësie dekadente.

2) Mungesa e guximit për tu ballafaquar me Serbinë – Edhe LV edhe LDK nuk do të ishin kaq hezituese, apo thënë edhe më troç kaq frikacake për tu ballafaquar me Serbinë, konkretisht me dialogun me Serbinë, sikur të ishin në këtë proces të vetme me më shumë vota apo të ishin në koalicion me ndokënd tjetër. Mosbesimi i ndërsjellë i bënë që të dyja këto subjekte të jenë larg më hezituese dhe larg më të pa gatshme të ballafaqohen me problemet e rënda të cilat e presin Kosovën. Në LDK mendojnë se pa dëgjueshmëria deri në kryeneçësi dhe refuzimi deri në mungesë logjike tek LV mund të vijë në shprehje papritmas dhe në momente vendimtare dhe proceset e rëndësishme për Kosovën mund të dështojnë shumë, kurse LDK pa fajin e saj do të ndëshkohet nga e gjithë kjo pariparueshëm. Në anën tjetër në LV mendojnë se atëherë kur konsekuenca dhe guximi politik do të jenë vitale për fatin e Kosovës, sidomos në raport me Serbinë dhe çështjet vitale, do të jetë LDK ajo që duke dashur të perceptohet si e matur dhe kooperuese, do ta tradhtoj LV-n duke e dëmtuar atë pariparueshëm, me çka do të dëmtohet keq dhe shumë edhe e ardhmja e vendit. Asnjë koalicion nuk do të ishte më frikacak dhe më hezitues për fatin e Kosovës sesa LV –LDK, prandaj si i tillë është më mirë të mos ndodh dhe ato të kërkojnë partnerë tjerë për të quar përpara proceset.

3) Mungesa e përkrahjes së SHBA-s – SHBA-t nuk e kanë përkrahur dhe vazhdojnë të mos e përkrahin koalicionin e mundshëm LV – LDK. Ky hezitim dhe kjo mungesë e përkrahjes për koalicionin e mundshëm LV-LDK nga ana e SHBA-s, të cilën gjithmonë deri më tani në të gjitha rastet e më hershme për krijimin e qeverisë në Kosovë e kemi pa të involvohet drejtpërdrejtë dhe shpejt, tani po mungon. Në rend të parë kjo po ndodh për fajin e LV. Përkundër të gjithave LV-së nuk i ka shkuar për dore që asnjëherë të krijoj marrëdhënie të mira dhe normale me SHBA-t. LV në gjithë kohën e veprimtarisë së saj politike kur ka fajësuar faktorin e brendshëm për korrupsion, nepotizëm e krim të organizuar etj. ka fajësuar edhe faktorin ndërkombëtar, gjithmonë duke e përfshirë në këtë fajësim edhe SHBA-n si një nga fajtoret më të mëdha për gjithë atë që nuk është bërë si duhet apo ka dështuar në Kosovë. Kjo sot po i kushton edhe vetë asaj edhe LDK-së edhe Kosovës. Arsye tjetër pse SHBA nuk e përkrah këtë koalicion është LDK-ja. Jo pse ajo do të jetë e padëgjueshme dhe kundër koncepteve evro-atlantike, por pse LDK konsiderohet se nuk e ka as guximin, as pjekurinë e nevojshme që ta kundërshtoj e lëre më ta ndal LV-n në rast të devijimeve të saja në momentet kruciale për fatin e vendit por edhe të politikave gjeopolitike në rajon.

4) Votat e pamjaftueshme – Edhe LV edhe LDK kanë marrë jo mjaftueshëm vota për ta legjitimuar mundësinë që qeveria e ardhshme të punoj në bazë të koncepteve, strategjisë apo programit dhe premtimeve të njërës apo tjetrës palë. Mospranimi i kësaj të vërtete, apo thënë më saktë leximi dhe prezantimi i këtij rezultati si fitore e madhe partiake, vazhdimisht këto dy forca politike i ka bërë jo reale dhe jo pragmatike në raport me kërkesat që i kanë bërë ndaj njëra tjetrës për më shumë pushtet ne qeverinë që nuk po krijohet. Mbase edhe për këtë, që të dy këto forca politike po mundohen tash e gati katër muaj të fitojnë në tavolinë atë që nuk kanë mundur ta fitojnë në kutitë e votimit. Asnjëra prej tyre nuk po bindet se me aq sa kanë fituar nuk mund ta bëjnë asnjë hap përpara pa njëra tjetrën. Kurse krejt në fund mund të thuhet se, ky mos lexim i drejtë por i qëllimshëm dhe djallëzor i rezultateve të fundit zgjedhore, dhe sidomos prezantimi i tyre si fitore e madhe, i ka bërë që të dyja forcat të papërmbajtura në grykësinë e tyre për të marrë më shumë pushtet në dëm të palës tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme