Punësimet partiake – PDK e LDK kritikojnë Qeverinë se edhe ligjet po i ndryshon që të ketë bazë për ndërhyrje

Prishtinë | 26 Nën 2022 | 07:36 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vlerësojnë se në Qeverinë Kurti 2 janë evidente punësimet familjare në çdo institucion, ani pse sipas tyre kryeministri Albin Kurti kishte premtuar një kulturë të re të qeverisjes.

Deputetët nga këto dy parti thonë se këto premtime, janë anashkaluar nga Qeveria dhe në emër të ç’kapjes së shtetit, është duke bërë një kapje të re.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se partia në pushtet po i ndërrojnë edhe ligjet vetëm që të kenë bazë ligjore për ndërhyrje të fortë.

Sipas tij, ka vetëm rritje të krimit dhe korrupsionit në kohën kur flitet për vetting dhe drejtësi Qeveria u përgjysmon pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Tani mund të themi që në Qeverinë Kurti 2 janë evidente punësimet familjare në çdo institucion dhe ndërhyrjet politike. Përkundrazi është një praktikë e keqe sepse po fillojnë t’i ndërrojnë edhe ligjet vetëm që të kenë bazë ligjore për ndërhyrje të fortë”.

“Ne kemi pasur rastin kur kanë shkarkuar anëtarët e këshillit të pavarur. Kosova është në vendin e parë sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit por nëse shikojmë në anë praktike nuk kemi parë veprim konkret përkundrazi kemi rritje të dukurive të krimit dhe korrupsionit në kohën kur flasim për vetting dhe drejtësi Qeveria u përgjysmon pagat prokurove dhe gjyqtarëve”.

“Tashmë po na ikin mjekë e punëtorë. Me këtë veprim që ka bërë qeveria mendojë se do të shkatërrojë drejtësinë”, tha Beqa.

Kurse deputeti i LDK-së, Armend zemaj tha se tendenca për ta prishur shërbimin civil është parë që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie.

Zemaj theksoi se është krijuar një ambient i frikës e kapjes, por edhe diktimit të njerëzve në pozita të caktuara, duke u bërë të rrezikshëm këtë qasje për vendin tonë, raporton EO.

“Tendenca për ta prishur shërbimin civil është parë nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie. Tash është krijuar një ambient i frikës një ambient i kapjes por edhe diktimit të njerëzve në pozita të caktuara të cilët i shërbejnë të një mentaliteti qeverisës”.

“Kjo është e rrezikshme për vetë shërbimin civil të ndërtuar ndër vite në Kosovë për përkrahje të miqve ndërkombëtare në reformë dhe pavarësinë institucionale. Tendenca të tilla janë të dëmshme dhe mbi të gjitha e prishin harmoninë ligjore dhe Kushtetuese. Kjo qasje është e rrezikshme për vendin tonë. Kjo është shtrirë edhe në gjyqësor dhe prokurori dhe ndërhyrje në legjislacion”, tha Zemaj.

Të ngjashme