Pushteti nuk shqetësohet për mungesën e opozitës në dialog

Prishtinë | 17 Kor 2018 | 08:39 | Nga

Nesër do të zhvillohet takimi i dytë i fazës finale të dialogut me Serbinë. Pjesë e këtij takimi nuk do të jenë subjektet opozitare, të cilat kërkojnë që Kuvendi ta ketë rolin udhëheqës. Por, mungesa e opozitës nuk është duke e shqetësuar pushtetin, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Nesër (e mërkurë) presidenti i vendit Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli e zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi do të udhëtojnë drejt Brukselit për ta takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Po këtë ditë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takimin e dytë të fazës finale të dialogut të Brukselit.

Por megjithëse para pak ditësh Presidenca ka deklaruar se ka formuar “Ekipin Negociator”, pjesë e këtij grupi nuk është edhe opozita.

Mungesa e opozitës në dialog nuk është duke e shqetësuar pushtetin, shkruan më tutje “Zëri”.

Në anën tjetër, opozita thotë se udhëtimi i Thaçit drejt Brukselit vetëm me “partnerët” e tij është i dëmshëm.

Sipas tyre, nga ky takim mund të pritet çfarëdo marrëveshjeje e dëmshme për vendin.

Mirëpo ata janë shprehur të vendosur se asnjëherë nuk do të bëhen pjesë e këtij ekipi të udhëhequr nga presidenti Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme