Putin – Vuçiqit: Asnjë vendim për Kosovën s’mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se vendi i tij do ta mbështesë Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se asnjë vendim nuk mund të merret pa Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Putin në një bisedë telefonike me Vuçiqin tha se do të diskutonte çështjen e Kosovës në mënyrë private me homologun e tij serb, i cili do të jetë në Moskë më 24 qershor, për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores, e cila u shty për shkak të pandemisë.

Gjithashtu, temë e bisedimit ndërmjet Vuçiqit dhe Putinit ka qenë edhe vizita e ardhshme e shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në Beograd, e cila është planifikuar për ditën e enjte, më 18 qershor, tre ditë para zgjedhjeve në Serbi.

Kosova nga ana tjetër shprehet e gatshme të nisë dialogun me Serbinë, ndërsa presidenti Thaçi ka bërë thirrje për unitet të brendshëm në këtë proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme