Qalaj për dorëheqjen e Mehmetit: Largimi i tij ishte i imponuar nga Qeveria, shkarkimi i tij ishte ‘punë e kryer’ që një javë

Prishtinë | 30 Gus 2022 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka komentuar dorëheqjen e Samedin Mehmetit nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Qalaj ka thënë për Sinjalin se shkarkimi i Mehmetit ishte ‘punë e kryer’ që një kohë, pasi që sipas tij Qeveria ka qenë e pakënaqur me punën e tij.

“Fillimisht mendoj kjo dorëheqje është e imponume nga Qeveria, nga ministri, ai duhet të shkarkohej këto ditë, meqenëse Qeveria ka qenë e pakënaqur me punën e tij. Kjo pasi Policia ka shkuar në veri për vendimin mbi reciprocitetin mbi dokumente dhe targa, pa një plan të qartë, ka qenë e hutuar plotësisht dhe prej atij momenti sipas informatave të mia që shkarkimi i tij ka qenë punë e kryer”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë ka thënë se Mehmeti ka dëmtuar më së shumti Policinë e Kosovës si në aspektin profesional e po ashtu edhe nga aspekti i humbjes së integritetit.

“Kushdo që vije pas tij, do të jetë drejtor më i mirë, për shkak se do ta dëmtojë më së paku Policinë e Kosovës. Është dashur të largohet shumë më herët sepse është njeriu që ka instalu një sistem të keqmenaxhimit”, tha Qalaj.

Ai është deklaruar edhe lidhur me emërimin e drejtorit të ri të Policisë, ku ka thënë se pret të jetë profesional.

“Roli i opozitës është shumë minor meqenëse drejtori i Përgjithshëm zgjidhet nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga kryeministri. Është proces zgjedhor ku kanë drejtë konkurrimi nga grada major e kolonel e më lart, pastaj bëhet një përzgjedhje. Uroj që kushdo që zgjedhet, të jetë një njeri profesional, pra të ketë më së pari backgroundin”, përfundoi Qalaj.

Të ngjashme