Qëndrimet e çuditshme brenda Qeverisë për demarkacionin

Prishtinë | 25 Dhj 2017 | 14:40 | Nga

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se zgjidhja më e mirë është rrëzimi i marrëveshjes për demarkacionin, madje duke theksuar se ky opsion do t’i hapte rrugë zgjidhjes. Në anën tjetër Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, një ditë më parë tha se pret që marrëveshja me Malin e Zi të kalojë gjatë muajit janar në Parlament, sipas një varianti që “do t’i duartrokasin të gjithë”.

E zëvendëskryeministri tjetër, Enver Hoxhaj, ka kohë që tashmë ka deklaruar se demarkacioni mund të miratohet në janar pa elaboruar më shumë.

Tre zyrtarë të lartë të shtetit, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj të cilët janë pjesë e një kabineti dhe ndajnë të njëjtin ambient pune, kanë qëndrime dhe pritje të ndryshme rreth demarkacionit.

Kryeministri Haradinaj, bazuar në gjetjet e Komisionit Bulliqi, pret që demarkacioni të hedhet poshtë, dhe kjo, sipas tij, i hapë rrugë zgjidhjes madje menjëherë.

“Unë ia kam mundësu parlamentit me marrë vendim. Sa ma shpejt që vendos parlamenti, nëse e rrëzon në rastin konkret, gjendet zgjidhja menjëherë, duhet me u gjet një opsion tjetër”, tha ai.

Kryeministri tha se kjo nuk i rrezikon marrëdhëniet me Malin e Zi, ngase siç u shpreh ai, edhe miqve ndonjëherë iu thua jo.

E Zëvendësi i tij Fatmir Limaj ka prezantur një version tjetër që nuk e ka elaboruar shumë. Ai ka thënë se pret që demarkacioni të përmbyllet muajin e ardhshëm. Limaj madje pret Konsensus për këtë cështje.

“Demarkacioni do të përmbyllet, unë pres që muajin e ardhshëm do të shkojmë dhe do ta kemi shunicën në parlamentin e Kosovës për të përmbyll këtë cështje. Demarkacioni do të jetë , do të jetë variant i cili do t’i respekton interesat e Kosovës dhe të Malit të Zi. Ne po punojmë që kur të shkojmë në Parlament të gjithë t’i duartrokasin variantit që do ta dërgojmë. ..Do të duartrokitet nga qytetarët e Kosovës po edhe nga miqtë tanë” ka theksuar Limaj.

“Dhe përfundimisht ta mbyllim këtë temë . Ne po punojmë në atë drejtim. Duke i respektuar interesat e dy vendeve. Nga ky proces asnjë vend nuk del i humbur përkundrazi Kosova dhe Mali i Zi nga ky proces do të dalin edhe më të fuqishëm në marrëdhëniet e tyre ndërshtresore”, tha Limaj” ka thënë ai.

Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm e ka shpalosur edhe Zëvendëskryeministri Hoxhaj, fillimisht në një media austriake.

Në një paraqitje mediale Hoxhaj ka thënë se janari është koha e duhur për miratim të demarkacionit, pasi vetëm një muaj më vonë, në shkurt, Kosova mund të hyjë në fazën për liberalizimin e vizave pasi do të mbahet mbledhja e Këshillit Europian.

“Është koha e fundit që në janar të votohet marrëveshja e demarkacionit, me qëllim që kur të mbahet Këshilli Europian ne ta kemi liberalizimin e vizave. Nëse nuk votohet në janar, atëherë jo vetëm në vitin 2018 por edhe në vitin 2019 ne nuk do të kemi viza”, kishte thënë ai.

Ndërkohë Kosova është në pritje të vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, i cili ka gjasa të vijë në fund të janarit në Kosovës me ftesë të Haradinajt.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme