Qëndron Kastrati i sigurt në fitoren e radhës, VV-ja thotë se nuk po frikësohet edhe pse u lidh me AKR-në

Prishtinë | 10 Sht 2021 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Ishte 22 tetori i vitit 2017 që vulosi fitoren e Qëndron Kastratit në komunën e Kamenicës.

Sot, pas 4 vitesh po i njëjti është përsëri kandidat për kryetar të Kamenicës në zgjedhjet lokale, por jo nga partia e njëjtë.

Mandatin e parë Qëndron Kastrati e fitoi me Lëvizjen Vetëvendosje, tani i ka hyrë garës me Partinë Socialdemokrate.

Për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor, Kastrati po tregohet optimist edhe për një mandat tjetër në krye të Kamenicës.

“Sipas matjeve i bien që kam me pasë rezultat më të mirë se në 2017-tën, është e vërtetë që në 2017-tën ka qenë kombinim subjekti-kandidati dhe faktorë të tjerë, por, pas një pune 4-vjeçare e kuptojmë që qytetarët e kanë vlerësuar që unë jam politikanë i gjeneratës së re i mendësisë së re dhe që ka qeverisur mirë për këto 4 vite”, ka thënë ai për Express.

I pyetur se a ndikon edhe subjekti politik në këto zgjedhje, Kastrati e sheh si faktorë të rëndësishëm por nuk mendon që do të lë gjurmë në rezultatet përfundimtare.

“Ndikon edhe subjekti politik është faktor i rëndësishëm por, duke i pasur parasysh krejt kombinimet me qeverisjen 4-vjeçare dhe me të tregu po habitem më kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje sepse, sipas matjeve dhe sipas punës në terren, po duket që ka me qenë rezultati më i mirë se në vitin 2017”, ka thënë Kastrati.

Nuk është më në LVV, por numri me të cilin garon, i ka rënë i njëjti si i para katër viteve. Për të, çështja e numrit, nuk është fare e rëndësishme.

“Nuk kam çfarë të komentoj rastësisë, ne duhet të angazhohemi për të mirën e qytetarëve, e kjo është veç rastësi”, ka deklaruar Kastrati.

Lëvizja Vetëvendosje në Kamenicë ka lidhur koalicion parazgjedhor me AKR-në.

Kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj, thotë se ky koalicion nuk është rezultat i frikës së LVV-së në Kamenicë, përballë ish-zyrtarit të saj, Qëndron Kastrati.

“Ne nuk po ndihem te rrezikuar, ne po ndjehemi shume të sigurt dhe e sqarova që memorandumi i bashkëpunimi më shumë e vendos theksin në bashkëpunimin në nivelin e kuvendit komunal në të ardhmen nuk ka të bëjë me çështje të koalicionit”.

Ndër të tjera, ai ka thënë që AKR-ja e ka parë të nevojshme ta përkrah VV-në dhe se nuk është tamam koalicion i mirëfilltë.

“Me AKR-në ne kemi një memorandum bashkëpunimi i cili më shumë është në nivel komunal sesa në nivel të koalicionit dhe AKR-ja nuk ka kandidat për kryetar e ka konsideruar si të nevojshme për me mbështet LVV”.

Përveç PSD-së, e LVV-së, garojnë edhe nga PDK-ja me kandidatin për kryetar Muhamed Kallaba, nga LDK-ja Jeton Biqkaj dhe nga NISMA, Albert Sermaxhaj.

Të ngjashme