Qeveria aktivizohet pas arrestimit të dy kosovarëve në kufi me Serbinë

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 07:15 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj, ka thënë për arrestimin e djeshëm të dy shqiptarëve në kufi me Serbinë, se ka kontaktuar me Berlinin, për të kërkuar reagimin e tyre për lirimin e tyre.

“Kam kontaktuar personalisht me Berlinin dhe nesër do të marrë zonja von der Leyen lajmin për me i lëshu djemtë sa ma shpejtë”, ka thënë Dreshaj në Speciale të Klan Kosovës.

“Në këto kontakte u tha që nuk duhet të bëjmë patriotizma se është gabim. Nesër do të marr informata ma të drejtpërdrejta”.

“Ministria e Punëve të Jashtme në koordinim me kryeminsitrin janë duke bërë çdo gjë të mundshme për sa më shpejtë lirimin e këtyre djemve që pafajësisht janë kapë jashtë kufinit”, ka shtuar ai duke potencuar se sjellje të tilla nuk i bëjnë mirë Serbisë sa i përket fqinjësisë dhe rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.

Ai tha se kanë informata për paraburgosjen e tyre prej ditës së djeshme, dhe ka treguar se Berlini është i informuar personalisht prej tij, kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla për këtë rast.

Dreshaj tha se raste të ngjashme ndodhin edhe në kufijtë tjerë në botë, ndonëse e pranoi se kohëve të fundit ato janë shpeshtuar nga Serbia.

“Muj me premtu që kryeministri dhe ministrja Haradinaj kanë njoftu çdo njeri të mundshëm që raste të tilla të mos ndodhin ma”.

“Mendoj që ne i kemi të gjitha informatat por për familjen e tyne dhe për djemtë që janë në dur të ushtrisë të Serbisë, tash të policisë, nuk kisha pasë dëshirë me u prononcu”.

Mirëpo, Dreshaj tha se ministrja Haradinaj-Stublla ka qenë në kontakt me familjet e dy djemve për të cilët ai thotë se nuk kanë pasur qëllim të keq me hyrjen e tyre në kufirin serb.

“Shpresoj që shumë shpejtë do të merren masa dhe do të vijnë djemtë në shtëpi”.

“Mendoj që edhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’iu thotë njëherë e përgjithmonë jo provokimeve të Serbisë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme