Qeveria: Asociacioni do të formohet sipas ligjit, por nuk dihet kur

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 10:42 | Nga

Çështja e formimit të Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve të Kosovës. Madje sipas tyre, formimi i AKS-së duhet të bëhet brenda një periudhe të shkurtër.

Zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh Ministër për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq mbrëmë ka deklaruar se nuk ka më asnjë justifikim për mosformimin e Asociacionit.

Ai ka thënë se tani është koha që AKS-ja të formohet ashtu siç palët kishin rënë dakord në Bruksel.

I kontaktuar nga Indeksonline, Drejtori i Zyrës për Informim në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshi ka bërë të ditur se ekzekutivi ende nuk ka një vendim lidhur me kohën apo formimin e Asociacionit.

Madje sipas tij kur bëhet fjalë për Asociacionin, nuk mund të përcaktohet një kohë por që të gjitha veprimet do të jenë në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Kur është në pyetje Asociacioni i Komunave me Shumice Serbe nuk mund të prejudikoj kohën se kur por kurdo që krijohet të gjitha veprimet do të jenë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës dhe në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Ditë më parë, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se institucionet e Kosovës, duhet të formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se institucioni nuk do të jetë një strukturë paralele e serbëve në Kosovë.

Ajo gjithashtu ka inkurajuar drejtuesit e institucioneve që të bëjnë formimin e këtij Asociacioni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme