Qeveria demanton Beogradin: Pas taksës, nuk është ndaluar shpërndarja e informimit për askënd

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka demantuar autoritetet dhe zyrtarët e Beogradit se pas taksës prej 100 për qind, serbët janë diskriminuar nga qasja në informacion.

Qeveria përmes kësaj deklarate thotë se taksa nuk prek në asnjë formë shprëndarjen e mediumeve dhe të drejtën e informimit.

Ky është reagimi i plotë i Qeverisë së Kosovë:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre iu garanton qasje në informacion, pa asnjë diskriminim!

Kësisoj, si Qeveri e vendit demantojmë propagandat e autoriteteve serbe, nga të cilat janë ndikuar edhe disa organizata ndërkombëtare.
Po e sqarojmë edhe njëherë se taksa 100 për qind, e drejtë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në asnjë formë nuk prek shpërndarjen e mediumeve dhe të drejtën e informimit për asnjë pjesëtarë të asnjë komuniteti.

Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë t’i krijojnë dhe përdorin mediat e tyre. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë numër të rezervuar të frekuencave për mediat elektronike, me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Ligjet në Kosovë, ua kanë mundësuar pjesëtarëve të komuniteteve që edhe të jenë pjesë drejtuese e shumë institucioneve që lidhen me mediat.

Krahas prezencës së një numri të madh të mediumeve serbe në vend, nga qershori i vitit 2013 në Kosovë ka filluar transmetimet kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës në të cilin 85 % e programit është në gjuhën serbe, 15 % në gjuhët e minoriteteve të tjera.

E drejta për media garantohet përpos me Kushtetutë, po ashtu edhe me ligje të posaçme: Ligji 03/L – 047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, i cili përmban dispozitat e caktuar për garantimin e lirisë së mediave për pjesëtarët e komuniteteve minoritare.

Presionet nga autoritetet e Serbisë dhe gënjeshtrat nuk i shërbejnë të drejtës dhe as procesit të integrimit.

Ne do të bëjmë çdo gjë që të ruajmë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore për të gjithë qytetarët e Republikës, e në veçanti për komunitetin serb në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme