Qeveria: Do t’i japim fund injorimit dhe manipulimit të votës së diasporës

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Përfshirja e mërgatës dhe diasporës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës është një prej prioriteteve të rëndësishme të Qeverisë Kurti.

Kështu theksohet në programin qeverisës të kësaj qeverie për katër vitet e ardhshme 2021-2025.

“Rëndësi të posaçme do t’i kushtohet rrjetëzimit të profesionistëve në mërgatë, ndërtimit të mekanizmave për transferimin e njohurive, ekspertizës, burimeve dhe krijimin e mekanizmave për përfshirje aktive në politikat zhvillimore. Qeveria do të angazhohet në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të pjesëtarëve të diasporës duke fuqizuar zhvillimin e mësimit plotësues në diasporë dhe në lehtësimin e shërbimeve konsullore në misionet diplomatike, si edhe krijimin e mundësive për votim nëpër misione diplomatike”, thuhet në program.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka paraparë ndryshimin e Ligjit për diasporën, që siç theksohet për të reflektuar ndryshimet institucionale.

“Qeveria gjithashtu do të angazhohet në përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit duke angazhuar mërgatën në diplomaci kulturore, ekonomike dixhitale në mënyrë që të punojmë në promovimin e Kosovës. Në këtë drejtim, do të ndërtojmë një strategji partneriteti ku vlerësojmë mërgatën si një faktor që do të ushtrojë ndikimin e saj në vendlindje dhe anasjelltas përmes përfshirjes dhe angazhimit të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, angazhim direkt në sektorë të rëndësishëm në implementimin e politikave, prioritet në investime dhe bashkinvestime me biznese vendore”, thuhet në program.

Politika e jashtme ekonomike do të jetë një prej shtyllave kryesore të politikës së jashtme të Qeverisë së Kosovës.

“Për arritjen e këtij synimi po hartohet një strategji, e cila nuk synon efektet afatshkurta por suksesin afatgjatë dhe në radhë të parë krijimin e vendeve të reja të punës. Do t’iu drejtohemi sidomos atyre shteteve, në të cilat jeton mërgata dhe diaspora jonë”

Qeveria Kurti thekson se do ti jap fund dukurisë së deritanishme të injorimit dhe manipulimit të votës së mërgatës.

“Do të krijohen mundësi praktike për të lehtësuar votimin duke e mundësuar atë në konsullata dhe ambasada, konform asaj se çfarë nënkuptojmë kur flasim për demokraci, të drejta të barabarta për të gjithë dhe duke u bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera evropiane. Kohët e bllokadës ose keqpërdorimit të mërgatës dhe diasporës nga ana e institucioneve shtetërore do t’i takojnë përfundimisht të kaluarës”.

Të ngjashme