Qeveria do t’i shfuqizojë vendimet që favorizonin biznesin e duhanit të këshilltarit të Haradinajt

Prishtinë | 28 Shk 2020 | 07:41 | Nga Ekonomia Online

Do të anulohen të premten dy vendime të Qeverisë së mandatit të shkuar, që konsiderohej se ishin marrë për llogari të biznesit të Gazmend Abrashit, një prej këshilltarëve kryesorë të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj. Me to zvogëlohej akciza për duhanin.

Abrashi ka 92 për qind të aksioneve në “Premium Tobacco Group”, fabrikë e vetme për prodhimin e cigareve në Kosovë. Atë e kishte privatizuar në vitin 2013, pas një varg dështimesh për riaktivizimin e saj. Biznesi ka për veprimtari edhe tregtinë me cigare dhe duhan, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në mandatin e shkuar, kur Qeveria është drejtuar nga Haradinaj, Abrashi ka qenë këshilltar për ekonomi i kryeministrit dhe për një kohë ishte caktuar edhe koordinator për Zhvillim Ekonomik në Qeveri. Në mandatin e tashëm ai është deputet i partisë së Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). E AAK-ja është në opozitë.

Burime të gazetës në Ministrinë e Financave kanë thënë se për mbledhjen e së premtes të Qeverisë është paraparë edhe anulimi i dy vendimeve.

Të ngjashme