Qeveria e Kosovës cak i një sulmi kibernetik të përmasave të mëdha

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme është përballur me disa sulme kibernetike kohëve të fundit. Insajderi ka mësuar se brenda MPB ka pasur sulme të vazhdueshme në e-mail të zyrtarëve. Këtë e ka konfirmuar edhe zyra për media e MPB-së duke thënë se institucionet e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme janë të atakuara nga sulmet kibernetike kryesisht të llojit ‘ Phishing”.

Zyrtarë të institucioneve kanë pranuar një email që pretendon të jetë nga një prej institucioneve zyrtare të shtetit, banke apo kompanie tjetër që pyet për të klikuar mbi një lidhje (link) të një faqeje interneti brenda emailit. Pasi kanë klikuar mbi atë link, hakerët mund të kenë qasje brenda emalit.

MPB ka thënë për Insajderin se “Institucionet e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme janë të atakuara nga sulmet kibernetike kryesisht të llojit ‘ Phishing” por të përmasave të vogla”.

MPB thotë se me datën 26 shkurt ka ndodhur një sulm me përmasa më të mëdha por që nuk ka bllokuar informacionet apo të dhënat.

“Ndërsa më datën 26-02-2022 ka ndodhur një sulm kibernetik i llojit “ phishing” me përmasa më të mëdha, por që edhe ky sulm kibernetik nuk ka bllokuar apo dëmtuar informacione apo të dhëna”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Njohësi i sigurisë kibernetike, Valon Kerolli sqaron për Insajderin se çfarë nënkupton një sulm Phishing dhe si mund të pranohet.

“Phishing është një prej krimeve më të vjetra kibernetike. Hakerët shtiren si një subjekt i besueshëm në internet në përpjekje për të marrë fjalëkalime apo informacione personale të tjera. Për shembull, dërgojnë një email që pretendon të jetë nga një prej institucioneve zyrtare të shtetit, banke apo kompanie tjetër që pyet për të klikuar mbi një lidhje (link) të një faqeje interneti brenda emailit. Kur ju klikoni në atë lidhje, ju do të ridrejtoheni tek një faqe falso që është krejtësisht e ngjashme me faqen e atij institucioni, banke apo kompanie”, tha Keroilli në një prononcim për Insajderin.

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar kishte marr vendim për ngritjen e kapaciteteve për mbrojte nga sulmet kibernetike nëpër institucione.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin ka obliguar të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi. Me këtë rast, obligohet ASHI/MPB të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme