Qeveria e Kosovës e treta në Ballkan për transparencë

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 14:23 | Nga

Open Data Kosovo (ODK) në bashkëpunim me partnerët rajonalë “Action See”, një rrjet ky i organizatave të shoqërisë civile që bashkërisht punojnë në promovimin dhe sigurimin e llogaridhënies qeveritare dhe transparencës në rajonin e Evropës Juglindore, ka përgatitur një analizë  të politikave publike që tregon nivelin e transparencës, qeverisjes së hapur dhe llogaridhënies së pushtetit ekzekutiv në Ballkanin Perëndimor përmes Indeksit Rajonal të Qeverisjes se Hapur bazuar në katër parime: transparenca, qasja, integriteti dhe efikasiteti.

Nëpërmjet rreth 80 indikatorëve për institucione, ODK thotë se ka matur dhe analizuar transparencën e 275 institucioneve të pushtetit ekzekutiv rajonal dhe ka mbledhur mbi 15 000 të dhëna në lidhje me institucionet publike rajonale.

Të dhënat e preliminare për ekzekutivin paraqesin situatën e tillë:

Qeveria e Kosovës vjen në vendin e tretë në Ballkanin Perëndimor në hapjen e ekzekutivit me një rezultat të përgjithshëm prej 39.95%. Mungesa e planifikimit strategjik dhe promovimin e qeverisjes së hapur si një strategji kombëtare përbën një pengesë të rëndësishme për përparimin e mëtejshëm.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Zyra e Kryeministrit ka rezultatin e dytë më të mirë ne rajon të hapjes, që korrespondon me 60.80%. Mirëpo, ky institucion ka problem kur është fjala për qasshmërinë që ka të bëjë me përputhje me procedurat për qasje të lirë në informata dhe qasje në dokumente zyrtare ku ka marrë rezultat prej (65, 38%).

Efikasiteti

Kosova e ka rezultatin më të ulët në kategorinë e efikasitetit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shënuar vetëm 24,96% kjo si rezultat i mungesës  së vlerësimit të përgjithshëm dhe monitorimit të suksesit të projekteve dhe politikave.

Integriteti

Një fushë në të cilën Fuqia Ekzekutive është duke performuar shumë mirë janë deklaratat e pasurisë me anë të kartave të aseteve ku treguesit e integritetit janë të lidhur me deklarimin e pasurisë, kodin e mirësjelljes dhe të konfliktit të interesit, të tri këto procese janë të rregulluara dhe na japin një një rezultat prej 100%.

Transparenca

Një nga aspektet në të cilën Zyra e Kryeministrit është duke performuar mjaft dobët është transparenca buxhetore. Faqja zyrtare nuk përmban shpenzimin e buxhetit dhe llogaritë përfundimtare. Nuk ka asnjë informacion për nivelin dhe përbërjen e borxhit publik, shërbimit të borxhit, dhe si është duke u menaxhuar borxhi

Informacione Organizative

Zyra e Kryeministrit shënoi mbi mesatare 63%, kur është fjala për transparencën në informacionet organizative. Uebfaqja është në përgjithësi e populluar me njoftime për shtypin, procesverbale të mbledhjeve të qeverisë, dokumentet zyrtare, raporteve, strategjive, planeve vjetore të punës dhe në një farë mase informacion mbi nëpunësit civilë.

Ministritë

Ministritë e Kosovës përmbushin 40% kriteret e hapjes. Ministritë e Kosovës shënuan mjaftë ulët në kategorinë e Qasshmërisë. Një mori e këtyre rezultateve të ulëta mund të shihen në pjesëmarrjen e OJQ-ve në hartimin e ligjeve.

Ministritë e Kosovës shënuan mbi mesatare në komponentën e transparencës me një total prej 53%. Buxheti mbetet një aspekt i dobët i transparencës për ministritë e Kosovës; vetëm shtatë ministritë kanë publikuar informacionin e mbi buxhetin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme