Qeveria e Kosovës vendos sanksione ndaj Rusisë

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 10:59 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Kosovës iu është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, raporton Ekonomia Online.

Vendimi për këto sanksione u morën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk është kjo hera e parë që Kosova i vë sanksione Rusisë.

“Qëndrojmë bashkë për paqe dhe siguri dhe mbrojtjen e demokracisë. Kemi si pikë të parë shqyrtimin e propozim-vendimit me të cilin Qeveria e Kosovës vendosë sanksione në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe të Këshillit të BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”, ka thënë Kurti.

Më pas, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë prezantimit të këtij propozim-vendimi ka thënë se Kosova duhet t’i bashkëngjitet botës demokratike duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.

“Pas agresionit të djeshëm ushtarak ndaj Ukrainës nga Rusia i cili u dënua ashpër nga krerët e Republikës së Kosovës si dhe nga gjithë bota demokratike dhe duke marrë parasysh shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare të sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës nga Rusi,a si dhe sulmi mbi sigurinë dhe paqen globale është e rëndësishme që edhe Kosova t’i bashkëngjitet shteteve demokratike në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera”, ka thënë ajo.

Ajo ka paraqitur edhe sanksionet që ka vendosur Kosova ndaj Rusisë, pas fillimit të këtij sulmi.

“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, imitacioneve financiare dhe individëve; ndalimi i qasjes se tyre në tregjet financiare dhe masa të tjera respektive që shënjestrojnë ndërmarrje të rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politik të përfshirë në marrjen e vendimit për agresionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, ka thënë ajo.

Ky propozim i MPJD-së u mbështet nga të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar.

Të ngjashme