Qeveria fajëson koalicionin për ngecje në eurointegrim

Prishtinë | 01 Gus 2020 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Një dokument qeveritar ka nxjerrë konstatimin se një politikë e ndërmarrë nga koalicioni aktual qeverisës ka për efekt ngecjen në procesin e integrimit evropian. Si problem kryesor që e ka dhënë këtë efekt është parë adresa e paqartë institucionale për çështjet që lidhen me integrimin, ndërsa si shkak i kësaj është konsideruar vendimi i koalicionit qeverisës për mospërfshirjen e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) në përbërjen e Qeverisë së re.

Përfundimet e këtilla janë nxjerrë në një koncept-dokument për themelimin e Agjencisë për Integrimin Evropian, i cili është përgatitur këtë muaj nga vetë Zyra e Kryeministrit, shkruan sot KOHA Ditore.

Prej dhjetë vjetësh, në strukturën e secilës Qeveri ka qenë edhe MIE-ja. Por, jo edhe në Qeverinë e drejtuar prej gati dy muajsh nga Avdullah Hoti. Koalicioni kishte vendosur që strukturat organizative të Ministrisë t’i zhvendoste në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në koncept-dokument theksohet se gjendja e re e krijuar “ka lënë zbrazësi në përgjegjësitë institucionale të Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian”.

Janë numëruar edhe efektet e problemit.

“Si rezultat i zbrazësisë institucionale të specifikuar më sipër, gjatë transicionit priten vonesa në përmbushjen e detyrimeve të Kosovës në procesin e integrimit evropian. Kjo për arsyen se, meqë MIE ka pushuar së ekzistuari, është i paqartë përfaqësimi i autoriteteve nga kjo ish-Ministri në strukturat e ndryshme të integrimit evropian dhe në instanca të tjera, ku parashihet kryesimi, bashkë-kryesimi ose pjesëmarrja e ministrit, sekretarit të përgjithshëm apo edhe nga niveli teknik i departamenteve që kanë shërbyer në kuadër të MIE-së”, thuhet në dokument. “Kjo zbrazësi vihet re më së shumti në nivelin politik, në mungesë të ministrit për Integrim Evropian”.

Të ngjashme