Qeveria flet për ushtrinë, jo për Asociacionin

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 09:15 | Nga

Kërkesa e deputetëve të Listës Serbe që sa më parë të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe njëkohësisht të anashkalohet formimi i ushtrisë së Kosovës nuk po komentohet nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, pjesë e së cilës është edhe partia më e madhe serbe në vend.

Deputetët e Listës Serbe ditë më parë gjatë një takimi me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, kërkuan nga ajo që sa më shpejt të formohet Asociacioni i Komunave Serbe dhe thanë së nuk është koha e duhur për t’u marrë me themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ekzekutivi i vendit është duke punuar për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, mirëpo nuk ka treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë dhe si do të tejkalohen kundërshtimet e Listës Serbe.

Ai tha se procesi i formimit të ushtrisë do të përmbyllet në bashkëpunim të plotë me NATO-n dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës po punon seriozisht në çështjen e transformimit të FSK-së në FAK, si procesi më i rëndësishëm në këtë periudhë. Qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por nuk është e ndërlidhur me datë të kufizuar. Ky proces si i tillë do të përmbyllet në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet vendore, me NATO-n dhe me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme