Qeveria Haradinaj mund të testohet me mocion mosbesimi

Prishtinë | 19 Sht 2017 | 08:51 | Nga

Se sa e fortë është Qeveria “Haradinaj” kjo mund të testohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës. Përçarjet brenda koalicionit qeverisës kanë bërë që deputetë brenda llojit të dalin jo vetëm kundër politikave të partisë, por edhe të propozojnë mocione për rrëzimin e saj, shkruan sot, gazeta Zeri.

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka qenë i pari që u ka bërë ftesë publike dy partive opozitare, “Vetëvendosjes” dhe LDK-së, për ta bërë këtë.

Berisha ka ofruar edhe votën e tij nëse këto dy parti do t’i bëjnë 60 vota. Pro propozimit të Berishës dhe përkrahës të tij janë deklaruar edhe në lëvizjen “Vetëvendosje”, kurse tentimet për ta rrëzuar atë nuk i kanë fshehur as në mesin e LDK-së. Se kryeministri Haradinaj mund të jetë “kurban” i pazarit të tij këtë e thonë edhe analistët kosovarë.

Berisha: Unë do të jem vota e 61-të për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, pavarësisht faktit se partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk do të mendohet dy herë për ta dhënë votën e tij pro rrëzimit të saj. Kështu ka thënë ai për gazetën “Zëri”, pasi që dyshon se kundër po zhvillohet një fushatë e qëllimshme politike.

“Meqë në adresën time ka një komplot institucional, i ndikuar nga banditët që e kanë kapur shtetin dhe ju e dini se kam një pengesë nga këta banditë që janë në këto institucione lidhur me garën time në Prizren, atëherë unë edhe kam dalë me këtë ofertë publike për LDK-në dhe ‘Vetëvendosjen’”,ka thënë Berisha.

Më tutje Berisha ka thënë se ende as nuk ka folur me askënd nga LDK-ja dhe ‘Vetëvendosja’ e askush prej tyre nuk e ka telefonuar për të kaluar në hapa konkretë. Megjithatë ka shtuar se kurdo që një mocion i tillë do të vijë në Kuvend ai do të jetë vota shtesë për ta. “Nuk më është përgjigjur askush ende, mirëpo arsyeja është publike. Nëse ‘Vetëvendosja’ dhe LDK-ja vendosin që ta bëjnë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë, atëherë unë do të jem aty. Do të jem i 61-ti”, ka thënë Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme