Qeveria Haradinaj votohet sot

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 08:48 | Nga

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, pritet të votohet sot në orën 16:00 në një seancë të jashtëzakonshme. Kështu ka njoftuar partneri i tij i koalicionit, kryeparlamentari i zgjedhur, Kadri Veseli, me ç’rast ka thënë se Qeveria e re ka shumë punë për të bërë, shkruan sot, gazeta Zeri.

E ndonëse Lista Serbe para dy ditësh njoftoi se do të diskutojë me Beogradin për votën e Haradinajt, Veseli u shpreh i vendosur se lideri i AAK-së do të vijë në krye të ekzekutivit. Madje, kreu i PDK-së u zotua se nuk do të jetë në pozitën e kryeparlamentarit po që se Haradinaj nuk do të zgjidhet shef i ekzekutivit.

“Seanca do të mbahet ditën e shtunë, në orën 16:00, pas kërkesës së 45 deputetëve, është seancë e jashtëzakonshme. Do të jetë zgjedhja e Qeverisë dhe e kryeministrit Ramush Haradinaj”, deklaroi ai pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.
Me këtë rast Veseli tha se nuk do të jetë kryeparlamentar po që se Haradinaj nuk do të arrijë të zgjidhet kryeministër.

“Nuk ka konstituim të Kuvendit pa pasur qeveri. Unë nuk do të jem kryetar i Kuvendit në qoftë se nuk zgjidhet kryeministër Ramush Haradinaj”, shtoi Veseli.

Ndërkohë, i pyetur nëse Lista Serbe do ta votojë Haradinajn, meqë përfaqësuesit e saj kishin deklaruar se nuk do të kenë votë për të pa biseduar me Beogradin, Veseli tha se Serbia s’do të udhëheqë asnjëherë me shtetin e Kosovës, shkruan gazeta Zeri.

“Kurrë nuk do ta udhëheqë këtë vend Serbia. Për këtë të jeni të sigurt dhe në të njëjtën kohë asnjë kushtëzim nga askush nuk do të lejohet”, potencoi ai. E pavarësisht se seanca u caktua për nesër, Veseli nuk i bëri të ditur emrat e ministrave nga PDK-ja.

“Emrat e ministrave do të jenë shumë shpejt transparentë, do të jenë njerëz që kanë kapacitete morale dhe intelektuale dhe të njëjtën kohë nuk kanë pengesë ligjore që të jenë ministra”, u shpreh lideri i PDK-së. Ndërkohë, konsideroi se Qeveria e ardhshme ka shumë punë për të bërë thuajse në të gjitha fushat.

“Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë, Qeveria e ardhme ka shumë punë. Kosova ka nevojë për një forcë të madhe të shtytjes së zhvillimit ekonomik, e cila do të ndodhë domosdoshmërisht”, shtoi Veseli.

Kreu i PDK-së tutje u zotua se do të punojë në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në BE, po ashtu edhe në fusha të tjera.

“Do të punojmë bashkërisht, orientimi është shumë i qartë drejt Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë do të punohet në agjendën ekonomike”, tha ai, duke shtuar se Kosova ka nevojë edhe për reforma në sistemin e drejtësisë.

Të ngjashme