Qeveria heq tarifën nga 15 marsi për lëndën e parë nga Serbia, nga 1 prilli krejt nëse plotësohen kushtet

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 18:42 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.

Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.

“Pas takimeve me Odat dhe shoqatat e ndryshme e sidomos me prodhuesit tanë dhe pas leximit të analizës së reciprocitetit e punuar nga Ministria e Ekonomisë kam ardhur të ky qëndrim sa i përket taksës 100%.Si qeveri e Kosovës gjatë javës së ardhshme nga datat 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja si shenjë e zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve me Serbinë. Ftojmë Serbinë që të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Kurti, raporton Ekonomia Online.

“Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për të hequr tarifën duke ofruar liberalizimin e vizave. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e Kosovës dhe për pasojë nuk e pushon fushatën dhe nuk fillon me heqjen e barrierave, atëherë Qeveria nga data 1 Prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit njëherë në fushën e tregtisë”.

“Ne rast se pala serbe nuk reflekton për 19 ditë, atëherë qeveria me 15 qershor do ta kthejë tarifën e importit nga Serbia. Pika 7 shtatë varet nga rritja e këtyre objektivave. Reciprociteti instalohet nga 15 qershori”, tha Kurti.

Kurti më tutje theksoi se Serbia ka pas shkelje të mëdha të marrëveshjes së CEFTA-s. “Unë pres që Qeveria e Serbisë të na përgjigjet me ndërprerjen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës dhe gjithashtu të fillojë me eliminimin e barrierave jotarifore të Kosovës. Nga Ministria jonë e Ekonomisë kam mësuar se ka një dosje të madhe të shkeljeve të marrëveshjes së CEFTA-s nga ana e Serbisë dhe këto duhet të marrin fund”, ka theksuar Kurti.

Ai tha se reciprociteti ka qenë në programin qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. “Ne me konceptin e reciprocitetit kemi garuar në shtator dhe kemi fituar me 6 tetor dhe e kemi përfshirë në programin qeverisës si partnerë të koalicionit dhe tash ajo është politikë e jona”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e sotme për medie:

Pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë, e sidomos me prodhuesit tanë, dhe pas leximit të analizës mbi reciprocitetin e munguar me Serbinë, punuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kam ardhur te ky qëndrim sa i përket rrugës përpara lidhur me tarifën 100%:

1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e mëpastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.

Të ngjashme