Qeveria Hoti nesër pritet ta çojë në Kuvend mendimin e saj për Ligjin për pandeminë

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës nesër do të mbajë mbledhjen e radhës ku do të procedohet edhe opinioni i ekzekutivit për Kuvendin në lidhje me Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19. Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga Zyra e Kryeministrit, Avdullah Hoti.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani u ka vënë ultimatum qeverisë se kanë kohë deri nesër të dërgojnë opinionin për Ligjin për pandeminë në të kundërtën ajo do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ligji urgjentisht.

Nga qeveria e Kosovës kanë thënë se ekzekutivi nesër do të mbajë mbledhjen e radhës ku edhe do t’i procedohet Kuvendit mendimi për Ligjin për pandeminë.

“Njëra ndër pikat që do të diskutohen në mbledhjen e nesërme të Qeverisë do të jetë shqyrtimi i propozim-vendimit për t’i proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës mendimin lidhur me Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, Avdullah Hoti.

Ndërkaq, kryekuvendarja Vjosa Osmani në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të hënën e ka quajtuar bllokim për gati një muaj procedimin e Ligjit për pandeminë nga ana e qeverisë.

“Situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji. Nëse qeveria nuk e sjellë opinionin deri të enjten, do të propozojë shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht”, ka thënë Osmani në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Mungesa e shqyrtimit të projektligjit për pandeminë nga qeveria Hoti është konsideruar politik, kjo për arsye se Kuvendi për rreth një muaj ka pritur mendimin e ekzekutivit por një gjë nuk ka ndodhur përkundër shtimit të rasteve me koronavirus në vend.

Hartimi i ligjit të veçantë për menaxhimin me COVID-19 ishte kërkesë e Gjykatës Kushtetuese, pasi kishte shpallur antikushtetuese masat e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes.

Të ngjashme