Qeveria Hoti shuan Ministrinë e Integrimeve Evropiane

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e re e Kosovës, do të ketë 16 ministri, një më shumë sesa ajo e kaluara.

Por, megjithatë një Ministri nuk do të jetë pjesë e saj. Bëhet fjalë për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, e cila deri sot drejtohej nga Blerim Reka.

Derisa kryeministri Hoti para deputetëve njoftoi përbërjen e re të kabinetit qeveritar, kjo ministri nuk u përmend fare.

Mirëpo, drejtori institutit EPIK, Demush Shasha, ka kujtuar se qeveria e votuar sot e ka shuar atë.

“Para 10 viteve është krijuar Ministria e Integrimit. Sot ajo është shuar. Shuarja e saj është analogji e përshtatshme për të simbolizuar perëndimin e filluar prej kohësh të interesimit politik për reformat Evropiane. Sidoqoftë, përtej simbolikes, është vendim i duhur që kompetencat e MIE-së të barten tek Zyra e Kryeministrit. Në tetor 2019 kemi shtjelluar në detaje 10 arsye përse”, ka shkruar Shasha në Facebook.

Shuarja e kësaj ministrie ishte kërkuar edhe vite më parë. Dështimi në liberalizim të vizave dhe mosarritja e përmbushjes së qëllimeve për të cilat ishte themeluar Ministria e Integrimeve Evropiane, ka bërë që nga shumë qeveri të konsiderohej se vazhdimi i punës së kësaj ministrie është vetëm shpenzim i panevojshëm i buxhetit të shtetit. 

Të ngjashme