Qeveria ka tendencë të mbajë publikun në terr informativ për dialogun, sipas shoqërisë civile

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Marigona Shabiu nga organizata YIHR në “Express Intervistën” në KTV ka kritikuar Qeverinë për mostransparencë sa i përket procesit të dialogut.

“Platforma e Shoqërisë Civile për Dialog” ka kritikuar Qeverinë edhe për Marrëveshjen e Washingtonit por edhe për procesin e dialogut që është duke u zhvilluar në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Një numër i organizatave të shoqërisë civile që i përcjellin të gjitha proceset në Kosovë jemi bërë bashkë në mënyrë që të bashkëveprojmë dhe të kemi një bashkëveprim më të harmonizuar të shoqërisë civile që të kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie. Dialogu me Serbinë është njëri më të rëndësishmëve. Ky proces është përcjell me antagonizma edhe ndërmjet akterëve shtetëror që do të duhej të ishin të bashkuar”, ka thënë Shabiu. “Ne nuk informohemi se çfarë po ndodh e cilat janë agjendat. Derisa kur është publikuar e nënshkruar marrëveshja (e Washingtonit) nuk kemi ditur se çfarë do të përmbajë ajo marrëveshje. Gjithçka bëhet tepër vonë e me njëlloj nxitimi”.

Sipas saj në publik ka konfuzion, paqartësi e mungesë të informacionit.

“Mostransparenca e ka karakterizuar këtë proces, edhe tash kur po fillon ai në Bruksel e shohim se është tendenca për ta mbajtur publikun në terr informativ. Qeveria asnjëherë nuk ka bërë tentim të sinqertë për të informuar qytetarët. Edhe mosllogaridhënia në Kuvend është shqetësuese”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se SHBA-ja është ndër partnerët kryesor të Kosovës dhe ndërmjetësimi i tyre është shumë e rëndësishme, megjithatë besojmë se duhet të ketë konsensus politik të brendshëm që të implementohet Marrëveshja.

Ujmani e Asociacioni ishin ndër pikat që shoqëria civile ka diskutuar sot me kryeministrin Hoti.

“E kemi pasur se ka pasur dilema e mospajtime edhe brenda koalicionit sidomos për Ujmanin. Është edhe çështja e krijimit të Asociacionit dhe një ndër pyetjet ishte se si do të bëhet ai. Hoti tha se kjo do të bëhet në përputhshmëri me Kushtetutën që i bie se kjo do të rihapet dhe do të jetë një ndër pikat kryesore që do ta shohim në ditët në vijim”, ka thënë Shabiu.

Shabiu gjithashtu ka bërë të ditur se nga shoqëria civile nuk do të përfshihen në procesin e dialogut, porse do të japin kontributin e tyre.

“Kur është iniciuar ideja e kësaj platforme është diskutuar edhe ky element i përfshirjes tonë në grupin e ekspertëve, mirëpo një vendim akoma jo absolut është që ne nuk do të përfshihemi në dialog. Njëri prej shqetësimeve tona mund të shihemi si një dorë e zgjatës, mirëpo edhe për shkak të situatës mjaft sensitive për neve është e rëndësishme të qëndrojmë jashtë çdo formacioni të Qeverisë mirëpo ne do të japim kontributin tonë. E kemi rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet qytetarëve dhe Qeverisë. Në fund të fundit qytetarët janë ata që do t’i gëzojnë ose vuajnë pasojat e një marrëveshje”, ka thënë ajo.

E njëra prej kërkesave të shoqërisë civile është edhe gjithpërfshirja, ka treguar Shabiu.

“Kjo është përtej grupit të ekspertëve. Ne kemi parë deri tash që Qeveria nuk është duke e trajtuar fare çështjen e perspektives gjinore dhe atë të rinisë në dialog. Në çdo përfaqësim që bëhet në çfarëdo nivelesh shohim oda burrash që nuk ka aspak ndjeshmëri gjinore dhe grupe të tjera. Edhe në grupin e shoqërisë civile për dialogun ka organizata që përfaqësojnë gratë, rininë e grupe të ndryshme etnike”, ka thënë Shabiu.

Të ngjashme