Qeveria Kurti do të trashëgojë një varg obligimesh financiare e vendimesh të kundërligjshme

Prishtinë | 03 Shk 2020 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Një varg obligimesh financiare e vendimesh të kundërligjshme do të trashëgohen nga Qeveria Haradinaj tek ajo Kurti, e cila pritet të votohet të hënën (sot) në Kuvendin e Kosovës, pas marrëveshjes për qeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të nënshkruar të dielën.

Kontrata për ndërtimin e “Kosovës së Re”, e cila e obligon Kosovën për të blerë energji të prodhuar nga qymyri për një operator privat për 20 vjetët e ardhshëm dhe me paralajmërime për ndëshkime financiare, do të jetë një ndër sfidat kryesore me të cilat do të përballet kjo qeveri.

Nëse deri në maj Qeveria e Kosovës dhe investitori “Contour Global” nuk i përfundojnë procedurat ligjore, do të ketë ndëshkime financiare për palën që nuk i përmbush obligimet. Dy partitë që tashmë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi kanë paralajmëruar se nuk do ta përkrahin këtë projekt.

Tërheqja nga kjo kontratë do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 20 milionë euro. E kjo kontratë tashmë është edhe nën hetime nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për dyshime për ndihmë shtetërore, që është e ndaluar me legjislacionin e këtij institucioni.

Të ngjashme