Qeveria Kurti ka emëruar vetëm 12 zv/ministra, 6 ministri ende pa asnjë të tillë

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit u votua më 3 shkurt në Kuvendin e Republikës. Qeveria e tij përbëhet nga 15 ministri. Edhe pse kanë kaluar një muaj që kur u formua qeveria Kurti, ministritë ende nuk janë kompletuar sa i përket numrit të zëvendësministrave. Gjashtë nga ministritë e kabinetit qeveritar ende nuk kanë asnjë zv/ministër, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri Kurti në fushatën zgjedhore kishte premtuar reduktim të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Ai e kishte kritikuar Ramush Haradinajn për emërimin e mbi 80 zëvendësministrave në qeverinë e tij.

Albin Kurti në konferencën për media që kishte mbajtur së bashku me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa kishte njoftuar për marrëveshjen e koalicionit, ku ndër të tjera kishte deklaruar se ekzekutivi do të ketë 15 ministri e 33 zëvendësministra.

“Jemi dakorduar që në Qeverinë e ardhshme t’i kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra”, kishte thënë ai në konferencë.

Pasi mori postin e Kryeministrit, Kurti ndërroi mendje për numrin e zëvendësministrave, duke thënë se së shpejti do të emërohen 35 të tillë.

12 ministri janë ndarë në mes partnerëve të koalicionit, gjashtë për Vetëvendosjen dhe gjashtë për LDK-në, ndërkaq tri për komunitetet pakicë.

Nga 21 ministri sa kishte qeveria Haradinaj, 6 nga to janë shkrirë në ministritë përkatëse duke u reduktuar në 15.

Ministria e Diasporës në qeverinë e kaluar tani është bërë bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë tani ka kaluar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministria e Administratës Publike do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërkaq në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë fuzionuar tri ministri, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë e cila ishte së bashku me Inovacionin dhe Investimeve Strategjike e cila ishte në kuadër të Ministrisë së Diasporës.

Kurse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

Gjashtë nga 15 ministritë ende nuk kanë asnjë zëvendësministër të emëruar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe ajo e Zhvillimit Rajonal ende nuk kanë zv/ministra.

Ndërkaq në ministritë ku janë emëruar më shumë se një zëvendësministër, njëri është nga Vetëvendosja dhe njëri nga LDK-ja.

Deri më tash vetëm tri ministri janë kompletuar me emërim të zv/ministrave, ministria e Arsimit që udhëhiqet nga Vlora Dumoshi, ministria e  Financave dhe Transfereve që drejtohet nga Besnik Bislimi dhe ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që drejtohet nga Emilia Rexhepi.

Nga 35 zëvendësministra sa është premtuar se do të ketë qeveria e Kurtit, deri më tani janë emëruar 12 dhe kanë mbetur edhe 23 për t’u sistemuar në ministritë e mbetura.

Nga 12 zv/ministrat e emëruar, Vetëvendosja ka emëruar 7 dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 5.

1.Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës-Glauk Konjufca(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

2.Ministër i Integrimit Evropian-Blerim Reka(VV)-zëvendësministër Taulant Kryeziu(VV)

3.Ministre e Drejtësisë-Albulena Haxhiu(VV)-zëvendësministër Florian Dushi(LDK)

4.Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit-Hykmete Bajrami(LDK)-zëvendësministër Xhavit Rexhaj(LDK)-Jusuf Thaçi(VV)

5.Ministër i Financave dhe Transfereve-Besnik Bislimi(VV)-Agim Krasniqi(LDK)-Ilir Aliu(VV)

6.Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike-Agim Veliu(LDK)-zëvendësministër Xhelal Sveçla(VV)

7.Ministre e Ekonomisë, Punësimit, Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe e Investimeve Strategjike- Rozeta Hajdari(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

8.Ministër i Mbrojtjes-Anton Quni(LDK)-(pa zëvendësministër të emëruar)

9.Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit-Lumir Abdixhiku(LDK)-zëvendësministër Avni Zogiani(VV)

10.Ministër i Shëndetësisë-Arben Vitia(VV)-(pa zëvendësministër të emëruar)

11.Ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural-Besian Mustafa(LDK)-zëvendësministër Imri Demelezi(VV)

12.Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Vlora Dumoshi(LDK)- zëvendësministër Ismet Beqiri(LDK)

13.Ministre e Administrimit dhe Pushtetit Lokal-Emilia Rexhepi(Partia e Re Demokratike NDS)-zëvendësministër Reshat Nurboja(VV)-Fatbardha Emini(LDK)

14.Ministër për Zhvillim Rajonal-Ivan Milojeviq(Lista Serbe)-(pa zv/ministër të emëruar)

15.Ministër për Komunitete dhe Kthim-Dalibor Jevtiq(Lista Serbe)-(pa zv/ministër të emëruar)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme