Qeveria Kurti nuk përgjigjet se nga i mori tre kandidatët për Bord të OSHP-së që nuk garuan fare

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës tashmë i ka propozuar Kuvendit listën me 10-të emra për kandidatë për anëtarë të bordi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Emrat që i kanë shkuar Kuvendit për bord të OSHP-së janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Petërqoj, Faruk Rexha, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Gradina-Mexhuani dhe Kimete Gashi.

Anëtarët e propozuar, Arbnor Tmava, Nita Bejta dhe Milot Spahiu nuk i janë nënshtruar garës së rregullt, sipas afateve kohore të konkursit. Pra, nuk dihet se nga kanë “mbirë” këta emra.

Lista e plotë të cilën Komisioni i mandatuar nga Kurti e ka dorëzuar në Qeveri, pasi ka shqyrtuar të gjitha CV-të.

Pra, siç shihet në listë mungojnë emrat që janë proceduar për më tutje nga Qeveria të; Arbnor Tmava, Nita Bejta dhe Milot Spahiu.

Periskopi ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët e Qeverisë lidhur më përzgjedhjen e individëve pa konkurs fare, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu nuk ka kthyer përgjigje.

Disa nga kandidatët e propozuar nga Kurti për Kuvend janë të renditur në fund të listës, e disa që janë në krye të listës nuk janë marrë parasysh.

Pra, e favorizuar nga Qeveria ka qenë Kimete Berisha, e cila kishte arritur të marrë vetëm 3.2 pikë, që ka qenë e fundit në listë. E parafundit, në listë është, Vjosa Gradina -Maxhini me gjithsej 3.6 pikë. Dafina Gashi ka marrë 4. 1 pikë dhe është radhitur e 19 në listë.

Më 12 janar 2022, Qeveria ka emëruar Komisionin Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për kryetar dhe katër anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Emrat e propozuar kanë qenë: Alban Nevzati, kryesues, Leonita Shabani – Mullarama anëtare, Isuf Zejna, anëtar, Enis Spahiu anëtar, dhe Imer Shevelli, anëtar.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, kur ka propozuar emrat e anëtareve ka thënë se “komisioni i caktuar për përzgjedhjen e kandidatëve ka shfaqur pakënaqësi me aplikimet për shkak të mungesës së përvojës dhe të profesionalizmit”.

Në fakt, Komisioni ka renditur në fund të listës emrat më më pak përvoja, të cilët janë marrë nga Kurti për procedim të mëtejmë.

Paraprakisht, emrat e propozuar nga Qeveria, para se të shkojnë në Kuvend duhet të kalojnë edhe filtrat e tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Komisioni profesional britanik nuk do të jap sugjerime për këta kandidatë, pasi është tërhequr nga ky proces me arsyetimin se konkursi paraprak kishte përfunduar me sukses.

Të ngjashme