Qeveria: Ky është raporti më pozitiv i BE-së për Kosovën

Prishtinë | 17 Pri 2018 | 22:30 | Nga

Qeveria e Kosovës nëpërmes një deklarate shtypi bën të ditur se e ka analizuar Raportin e rregullt të BE-së për Republikën e Kosovës i publikuar sot.

Raporti, thekson Qeveria, reflekton stadin e vendit tonë në raport me anëtarsimin e plotë të Kosovës në BE. “Në këtë kontekst, raporti është tregues se në tërësi Kosova ka tepër punë për të bërë deri tek anëtarësimi i plotë kurse në veçanti reflekton punën e madhe dhe progresin e madh që është arritur në vitin e fundit. Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në  vitet e fundit, qoftë sa i pëtrket të arriturave konkrete, e qoftë trendeve në funksion të avancimit të proceseve”.

Sipas Qeverisë së Kosovës, është raportuar progres në:

  • Sundim të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht në shënjestrimin e rasteve të nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Progres shënohet gjithshtu në sekuestrimin e aseteve dhe në masat për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
  • Rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik,
  • Votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi;
  • Përgatitjet në Reformën e Administratës Publike dhe fillimin e reformave në administratën publike
  • Përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillimi i dialogut me Serbinë;
  • Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, vlerësohet si arritje shumë e madhe e vitit 2017
  • Progres në menaxhimin e migrimit të rregullt dhe atë ilegal, si dhe shumë fusha tjera

Qeveria e Kosovës thekson se Kosova nuk ka dilema për rrugën e saj drejt BE-së, përkundër faktit që në BE janë të ndarë sa i përket integrimit të Kosovës në familjen evropiane.

“Progresi i përmendur në këtë raport është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur. Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e vet. Me të drejtë Kosova pret që BE tash të njohë këtë progres dhe mekanizmat relevantë të japin dritën e gjelbërt për liberalizimin e vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

“Pavarësisht kësaj, ne na presin sfida të tjera të mëdha për të përmirësuar jetën e qytetarit të vendit, na presin shumë punë, për të cilat Qeveria e vendit është e përkushtuar t’i kryej, konform aspiratave tona, të një shoqërie demokratike dhe të integruar”.

Sfidat e përmendura në raport, Qeveria e Kosovës thotë se do t’i identifikojë dhe do të punojë që këto të tejkalohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme