Qeveria merr vendim të hartohet Plani i ri Hapësinor i Kosovës, “në përputhje me rrethanat e reja në vend”

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 11:35 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës dhe Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, sipas propozimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, i cili foli në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se me vendimin për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës, është hapur mundësia për një planifikim hapësinor të ri “në përputhje me rrethanat e reja të krijuara në vendin tonë”.

“Si pikë e parë nga MMPHI ishte pika për propozim vendimin për hartimin e planit hapësinor të Kosovës e cila u vota dhe hapet mundësia qe ne të fillojmë hartimin e planit hapësinor të Kosovës i cili është dokument shumë i rëndësishëm”.

Aliu e cilësoi dokumentin të rëndësishëm, mes tjerash, për faktin se do të mundësojë harmonizim mes ministrive përkatëse.

“Ky dokument do të mundësoj që të bëjmë planifikimin në bazë të rrethanave e të reja që kanë ndodhur në vendin tonë. Për gjatë gjithë kësaj kohe janë bërë përgatitje të shumta për hartimin e këtij plani. Po ashtu të gjitha strategjitë e ministrive përkatëse, do të mund te harmonizohen në mes vete dhe të inkorporohen në planin hapësinor të Kosovës”, u shpreh ai.

Aliu foli edhe për propozim vendimin për hartim të planit hapësinor për parkun kombëtar “Sharri”.

“Parku kombëtar Sharri, i ka 53 mijë e 469 hektarë, e ka një zonim jo adekuat dhe jo të shperndarë. Pas hartimit të këtij plani do të kemi mundësi që të kemi zonim të rregullt, ku zonat strikte do të jenë të definuara qartë. Edhe me këtë hap të rëndësishëm po na hapet mundësia që vendi ynë të zbatojë ligje në këtë fushë dhe ta hapë derën e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, tha Aliu, raporton EO.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal informoi Kabinetin Qeveritar për investimet kapitale në vlerë një  (1) milion euro, në projektin “Mbështetja për projektet infrastrukturore për komunitete në komunat e Republikës së Kosovës”.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, tregoi për mbështetjen që i është dhënë nivelit lokal nga vetë ministria dhe nga donatorët për 25 projekte kapitale.

“Në takimin e sotëm patëm dy pika që janë në linjë të drejtpërdrejtë për mbështetjen e nivelit lokal. 3 milion euro janë nga MAPL dhe pjesa tjetër është nga donatoret për 25 projekte kapitale në përputhje me 25 marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga ministri i MAPL-së, kryetarët e komunave dhe donatorët”.

Të ngjashme