Qeveria miraton raportin e punës për vitin 2016

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 16:42 | Nga

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 136-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar, ishte raporti vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2016. Gjatë prezantimit, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, tha se raporti është një mundësi e mirë për të informuar për punën dhe arritjet që ka bërë Qeveria e Kosovës në raport me Kuvendin e Kosovës, me donatorët, por edhe me qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Ky raport që është gjithëpërfshirës ka për qëllim që të shoh progresin e arritur në realizimin e prioriteteve të Qeverisë që kemi pasur në vitin e kaluar dhe në veçanti ka për qëllim që të jetë pikë reference për programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për prioritetet strategjike edhe për këtë vit. Raporti është një mjet i komunikimit të arriturave të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe me qytetarët e Kosovës, dhe me veprimet e domosdoshme që duhet t’i ketë marrë Qeveria e Kosovës në tërësi dhe në veçanti edhe ministritë. Gjatë vitit 2016 Qeveria e Kosovës ka punuar në realizimin e pesë prioriteteve kryesore të cilat kanë qenë shtylla të programit të Qeverisë për vitin 2015-2018 sikurse që janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, sundimi i ligjit dhe sundimi i shtetit të së drejtës, agjenda evropiane dhe politika e jashtme, arsimi, kultura, shkenca, sporti dhe zhvillimi rinor dhe shëndetësia moderne. Besoj se të arriturat dhe rezultatet kanë qenë të prekshme për qytetarët e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke theksuar se ky raport do të publikohet dhe në të do të kenë qasje qytetarët e Kosovës dhe opinioni publik, për t’u njoftuar për të arriturat dhe punën që është bërë vitin e kaluar.

Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë tha se raporti sublimon punën e tërësishme të Qeverisë dhe është pjesë e kontributit të çdo ministrie dhe çdo agjencioni qeveritar veç e veç.

Qeveria miratoi edhe Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2017-2021. Ky program është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet zbatuese dhe përmban masat afatshkurtra njëvjeçare dhe prioritetet afatmesme pesëvjeçare që kanë për qëllim përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim. Përveç reformave kyçe politike dhe ekonomike që kërkon Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim programi parasheh edhe masat konkrete në kuadër të 33 kapitujve të Acquis të Bashkimit Evropian. Bazuar në strukturën e kritereve të Kopenhagës që janë të drejtat e njeriut, qeverisja demokratike dhe ekonomia e tregut, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe dhe në 40 kapituj. Secili kapitull përmban pjesën narrative dhe tabelën e masave afatshkurtra e cila përmban masat legjislative dhe zbatuese. Programi, po ashtu, përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.
Programi përmban gjithsejtë 930 masa nga të cilat 260 janë masa legjislative dhe 670 janë masa zbatuese. Programi përmban prioritete afatmesme në secilin kapitull veç e veç.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi edhe vendimin për nisjen e procesit të planifikimit të IPA për periudhën 2018-2020. Lidhur me këtë pikë, ministrja e Integrimit Evropian tha se Bashkimi Evropian jep një asistencë të konsiderueshme për Kosovën nëpërmjet instrumentit të para anëtarësimit, e cila fokusohet në zbatimin e reformave dhe obligimeve që ka Kosova në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Me qëllim që të kemi një proces sa më mirë të përgatitur për të finalizuar këtë program, Ministria e Integrimit Evropiane, si koordinatore e IPA-s, synon të zbatojë të gjithë hapat e nevojshëm procedural në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare. Prandaj, ne kemi përmbyllur me sukses dhe kemi nënshkruar marrëveshjen financiare për programet IPA 2014-2015 dhe javën e kaluar kemi marrë një pjesë të donacioneve në kuadër të IPA 2016 dhe është në proces të finalizohet pjesa tjetër e programit për vitin 2016 e cila në fund do të finalizohet me nënshkrim”, tha ministrja e Integrimit.

Ajo njoftoi kabinetin qeveritar se edhe për IPA 2017 javën e kaluar ka filluar procesi i planifikimit të programimit, ndërsa pritet që procesi të konkludohet me marrëveshjen financiare në fund të këtij viti.

“Ka mbetur që ne të fillojmë planifikimin për periudhën për IPA 2018-2020, për të cilën kemi në dispozicion fondet prej 250 milionë euro. Duke pasur parasysh se Kosova ka ndërtuar një bazë solide të planifikimit afatgjatë dhe afatmesëm, duke filluar me programin e Qeverisë, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, programin për reforma ekonomike, Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim si dhe Strategjitë sektoriale, ne synojmë që për këtë periudhë të planifikojmë të gjithë sektorët e përfshirë në IPA, ashtu që më pas programimi vjetor të ndjek qartazi prioritetet e caktuara nga Qeveria dhe në funksion të zhvillimit të vendit dhe integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ministrja Ahmetaj, duke theksuar se sektorët që do të përfshihen në IPA për këtë periudhë programuese janë sundimi i ligjit, bujqësia, energjia, konkurrueshmëria dhe inovacioni, edukimi, punësimi dhe politikat sociale dhe mjedisi.

Qeveria, po ashtu, miratoi edhe vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme ndërmjet Agjencionit Pyjor të Kosovës dhe Komunës së Ferizajt, për qëllim të realizimit të Projektit “Ndërtimi i varrezave të qytetit në Ferizaj”.

Komuna e Ferizajt ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale e ligjore lidhur me këmbimin e pronave komunale dhe gjithashtu Agjencia Pyjore e Kosovës ka dhënë pëlqimin për të vazhduar procedurat administrative të këmbimit të këtyre pronave. Realizimi i kërkesës së Komunës së Ferizajt është në përputhje me dispozitat e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së paluajtshme të Komunës, si dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme