Qeveria mund të zgjerohet edhe me PDK-në pas ngritjes së aktakuzave

Prishtinë | 03 Kor 2020 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

Unifikimi të cilin e kërkoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka të bëjë me shmangien e zgjedhjeve dhe një krize institucionale në rast se i konfirmohet aktakuza për krime lufte presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-s, Kadri Veseli.

Burime të KOHËS brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se skenari i diskutuar me partitë në pushtet ka qenë zgjerimi i koalicionit aktual duke e përfshirë edhe Partinë Demokratike, së cilës do t’i takonte e drejta e propozimit të emrit për postin e presidentit dhe katër ministri.

“Ideja është që nëse i konfirmohet aktakuza Thaçit, ai të ofrojë dorëheqjen ashtu siç ka paralajmëruar dhe legjislatura aktuale e Kuvendit që ta zgjedhë presidentin e ri, që pritet të propozohet nga PDK-ja. Kjo parti po ashtu mund t’i marrë së paku katër ministri në qeverinë Hoti. Kjo bëhet me qëllimin që të shmangen zgjedhjet eventuale dhe Qeveria ta vazhdojë mandatin në kohën kur fillojnë gjykimet në Hagë”.

Në lidhje me këtë opsion gazeta ka pyetur në PDK dhe ka kontaktuar zyrtarë të lartë të saj, përfshirë zëvendëskryetarin Enver Hoxhaj e Memli Krasniqin, që është nënkryetar i Kuvendit nga radhët e kësaj partie, si dhe zëdhënësin Avni Bytyqi. Por nuk janë përgjigjur. Një ditë më herët Bytyqi u ka thënë mediave se PDK-ja është parti opozitare dhe deri më tani nuk është diskutuar tema e hyrjes në qeveri “në asnjë nivel vendimmarrës të partisë”.

Përfshirja eventuale e PDK-së në koalicionin të cilit i prin kryeministri Avdullah Hoti nuk është diskutuar as në organet e LDK-së. Gazeta ka kontaktuar dy prej nënkryetarëve të kësaj partie, Lutfi Haziri dhe Haki Rugova. I pyetur për skenarin e diskutuar dhe mundësinë e përfshirjes së PDK-së, Haziri ka thënë: “Nuk kam qenë në takim me Edin kësaj here, më vjen keq që nuk mund të them asgjë”.

Ndërkaq Rugova nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo çështje të ngrihet për diskutim në të ardhmen, brenda strukturave të partisë. Ai po ashtu personalisht është shprehur kundër vendosjes së vijave të kuqe.

“Unë nuk jap deklarata pa u marrë një vendim në Kryesinë e LDK-së ose në Këshillin e Përgjithshëm. Në këtë fazë krejt këto mund të jenë spekulime. Brenda subjektit nuk është diskutuar ende kjo çështje”, ka thënë Rugova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme