Qeveria ndan 20 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirrë mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), mbledhja e 33-të e Qeverisë, në të cilën ka diskutuar dhe aprovuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Me vendimin e parë të miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë për emërimin e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Me propozimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, është vendosur që anëtar i këtij këshilli nga ky fakultet, në vend të Arben Mehmetit të jetë Imer Rusinovci.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Pakos Emergjente Fiskale. Me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit në mbledhjen e sotme, janë ndarë 20 milionë euro për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca e shëndetit publik dhe me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre. Këto subvencione mund të kushtëzohen me reduktimin e ndarjeve buxhetore për vitin aktual dhe për vitet në vijim për ndërmarrjet publike.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024. Ky është Programi i pestë me radhë për zbatimin e MSA-së ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, që nga hyrja e saj në fuqi, më 1 prill 2016. Programi ka për qëllim zbatimin e të gjitha reformave për adoptimin e Acquis-së së BE-së në legjislacionin kombëtar në të gjithë kapitujt e saj.

Programi i rishikuar paraqet një kornizë gjithëpërfshirëse të reformave konkrete afatshkurtra dhe objektivave prioritare afatmesme me prioritet (për periudhën 2020-2024) për zbatimin e MSA-së, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane – Përafrimi i Legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së.

Kriteret politike mbulojnë fushat e ligjvënies, ekzekutivit, reformave kushtetuese, reformës së sistemit zgjedhor dhe të administratës publike, bashkëpunimit rajonal, si dhe, pjesërisht, ato të sundimit të së drejtës, gjyqësorit, të drejtave themelore dhe mbrojtjes së minoriteteve. Ky bllok përmban pesë kapituj: Kushtetuta, Parlamenti dhe sistemi zgjedhor; Administrata publike; Avokati i Popullit; Mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë; dhe Bashkëpunimi rajonal dhe obligimet ndërkombëtare.

Kriteret ekonomike janë harmonizuar me Programin për Reforma Ekonomike (PRE). Ky bllok gjithashtu reflekton prioritete dhe aktivitete të dalë nga mekanizma të tjerë të dialogut me BE-në, si prioritetet vjetore, konkluzionet e strukturave të MSA-së, ose nga mekanizmat multilateralë, si marrëveshjet me FMN, etj. Ky bllok përmban dy kapituj: Ekzistenca e ekonomisë funksionale të tregut, dhe Kapaciteti për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda Unionit.

Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së përfshin të gjitha politikat publike që mbulojnë acquis e BE-së dhe kërkon reformimin e tërë qeverisjes përmes miratimit të saj në legjislacionin kombëtar dhe zbatimit të saj. Ai përmban 33 kapituj të acquis-së dhe një kapitull mbi kornizën ligjore për përafrimin e legjislacionit vendor me acquis.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB) për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. Nisma parasheh arritjen e marrëveshjes për kredi në vlerë prej 35 milionë euro që do të përdoret për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët e Kosovës të prekur nga COVID-19.

Të ngjashme