Qeveria ndan 500 mijë euro për Shqipërinë, mobilizohen edhe institucionet në vend në rast tërmeti

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 13:13 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka marrë vendim të ndajë 500 mijë euro për t’i dal në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit të mbrëmshëm, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje.

Ai tha se ka kërkuar që të mobilizohen edhe institucionet në vend në rast të ndonjë tërmeti në Kosovë.

Haradinaj ka shtuar se ka komunikuar me krerët shtetërorë nga Shqipëria dhe më pastaj janë ndërmarr veprimet e nevojshme, si dërgimi i Ushtrisë dhe Policisë atje.

“Me qëllim të sanimit të pasojave të tërmeteve në Shqipëri, Kosova do t’i dalë në ndihmë me të gjitha kapacitetet e saj humane dhe teknike e financiare. Duke ndjekur procedurat e protokollit dhe procedurat ligjore, bazuar në Ligjin nr.04/l-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Qeveria në detyrë ka marrë vendim të dërgimit të kësaj force në operacione të kërkim shpëtimit dhe poashtu kemi dërguar ekipe emergjente të Policisë së Kosovës”.

“…kam urdhëruar Ndërmarrjet publike për të dërguar njësitet mbështetëse në ndihmë për zonat e prekura. Minierat e Trepçës dhe Artanës do të dërgojnë Çetat e tyre të Shpëtimit, kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Njësinë e Zjarrfikësve”.

“Gjithashtu, kam autorizuar të gjitha Kompanitë e Mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, që menjëherë të nisen për Shqipëri. Po sot, Qeveria në detyrë vendosi që Shqipërisë t’i ndahet shuma prej 500 mijë eurosh, si ndihmë financiare”.

“Duke qenë se ka lëvizje seizmike edhe në Kosovë, kam kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie”.

“Nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, kërkoj që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës të reagimit ndaj emergjencave civile”.

Ministri në detyrë i Financave (MF) Bedri Hamza, tha se bazuar në gjendjen në shtetit shqiptar kanë marrë vendim që të ndahen 500 mijë euro.

“Bazuar në gjendjen që ka ndodhur në Shqipëri, unë propozoj që t’i ndajë 500 mijë euro për ngjarjen që ndodhi në Shqipëri”, tha Hamza.

Një termet i cili u përcoll me 17 lëkundje të njëpasnjëshme, magnituda e të cilit arriti 6.4 shkallë ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës.

Deri më tani nga ky tërmet i rëndë janë shënuar 13 viktima dhe rreth 600 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Të ngjashme