Qeveria ndan 579 mijë e 345 euro për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhje korresponduese\elektronike, e 62 me radhë, në të cilën është miratuar vendimi për ndarjen  e mjeteve financiare  për mbulimin e shpenzimeve për nevojat emergjente për  protezat e  Invalidëve të Luftës së UÇK-së.

Me vendimin e Qeverisë së  Republikës së Kosovës është aprovuar kërkesa e  Shoqatës se Invalidëve të Luftës së UÇK-së për ndarjen  e mjeteve financiare  në vlerën prej pesëqind e shtatëdhjetë e nëntëmijë  e treqind  e dyzet  e pesë euro (579,345.00 €) për mbulimin e shpenzimeve për nevojat emergjente për  protezat e  Invalidëve të luftës së UÇK-së.

Këto mjete do të shfrytëzohen vetëm për qëllimet e specifikuara me kërkesën Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe shfrytëzimi i tyre do të monitorohet nga komisioni në këtë përbërje:

1. Përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Kryesues;

2. Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë – anëtar;

3. Drejtori i Zyrës për Çështje të Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së – anëtar;

4. Përfaqësues nga Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së – anëtar. 

Komisioni do të monitorojë shpenzimin e mjeteve të ndara dhe do të përgatis raportin e detajuar për Qeverinë. Vendimi obligon për zbatim Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së. Gjithashtu vendimi rekomandon që institucionet të ofrojnë zgjidhje të përhershme për invalidët e luftës së UÇK-së në pajtim me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 03.02.2021.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme