Qeveria organizon pritje për stafin amerikan që punon në Kosovë

Prishtinë | 23 Nën 2018 | 17:29 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e ditës së Falënderimeve, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka organizuar një ceremoni solemne për stafin amerikan që punojnë në Kosovë.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Haradinaj tha se amerikanët në Kosovë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre.

“Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju falënderoj shumë që sot jemi së bashku, në shenjë të mirënjohjes, falënderimit, dhe asaj se sa pasionant jeni për vendin tonë, kombin tonë, gjatë gjithë kohës edhe në ato kohëra sfiduese, mirëpo ne jemi miqtë e juaj gjatë gjithë kohës”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në pritjen e organizuar nga vetë ai, me rastin e Ditës së Falënderimeve, për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ndër tjerash, tha se, Kosova është krenare për atë se sa  shumë i  do Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  dhe ka admirim ndaj saj.

“Kjo është një ditë e veçantë për të cilën ne gëzohemi që ju e keni këtë ditë dhe çfarë mesazhi apo porosie të mirë jepni në Ditën e Falënderimeve, sepse dje patët kohë disa prej jush me familje, disa prej fëmijëve tuaj janë larg, mirëpo shpresojmë se gjatë kohës tuaj këtu të ndiheni si në shtëpitë tuaja, si në familjet tuaja në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shprehur mirënjohje të thellë për popullin amerikan, për rolin e tyre të madh ndaj Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka falënderuar të gjithë diplomatët dhe ushtarakët amerikanë që punojnë dhe jetojnë në Kosovë.

“Kjo festë është festë që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi shumë mysafirë që aktualisht janë sonte me neve. I falënderoj për përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Pavarësisht që janë larg familjeve të tyre, janë kthyer te familja e madhe që është populli i Kosovës, i cili i konsideron si njerëz të afërt”, tha Veseli.
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së ShBA-së, Colleen E. Hyland tha se kur janë në Kosovë gjithmonë ndihen si në shtëpinë e tyre.
“Faleminderit shumë kryeministër Haradinaj dhe kryparlamentar Veseli. Ne ndihemi si në shtëpi këtu, na keni mirëpritur neve dhe shokët tanë. Është kënaqësi që po festojmë me ju këtë mbrëmje. Gjatë gjithë kohës e mendoja se a do ketë gjel deti, por kjo nuk është kurrë aq shumë. Faleminderit shumë për ngrohtësinë tuaj, për shoqërinë dhe të gjitha të tjerat që po i festojmë në këtë ditë falënderimesh”.

 

Të ngjashme