Qeveria pa vendim për rithemelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës

Prishtinë | 04 Tet 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Po bëhen 5 muaj prej kur Kosova ka nisur iniciativën për rithemelimin e Institutit që do t’i dokumentojë krimet e luftës. Por grupi i ri i ekspertëve për themelimin e tij ende nuk ka marrë mandat nga Qeveria aktuale, edhe pse ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, 10 ditë më parë pati bërë të ditur se në mbledhjen e 28 shtatorit të Qeverisë do të votohej ky grup.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë se kush do të jenë anëtarët e këtij ekipi, por ata nuk janë përgjigjur. Grupi paraprak që ishte formuar nga Qeveria Kurti është dashur ta sjellë në shtator analizën për themelimin e institutit, por kjo nuk ka ndodhur, meqë me rënien e ekzekutivit, ekspertët që ishin të përfshirë politikisht janë larguar automatikisht dhe të njëjtëve Qeveria aktuale nuk u ka bërë ftesë për vazhdim të punës.

Fortuna Sheremeti, ish-anëtare e këtij ekipi, thotë se është e rëndësishme që të mos themelohet instituti vetëm për përfitime politike, pa analizë paraprake dhe strategji operacionale.

“Është njëfarë trekëndëshi që duhet me u plotësu ku krimi adresohet, dëmi matet, pastaj nevojat e viktimave shikohen, në mënyrë që reparacionet që ofrohen të jenë në linjë me nevojat. Ne nuk kemi pasur një strategji të tillë, por nuk është e pamundur të krijohet. Është vështirë, jashtëzakonisht vështirë, por për këtë arsye po them është momenti i fundit”, u shpreh Sheremeti.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në qershor të 2010-s dhe është mbyllur në korrik të vitit 2018, me arsyetimin se nuk ka sjellë rezultate të mjaftueshme. Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, që e ka drejtuar këtë institut thotë se ka pasur probleme të jashtëzakonshme me buxhetin.

Ai thekson se është e rëndësishme që themelimi i një instituti të ri të trajtohet seriozisht nga shteti si me resurse materiale ashtu edhe njerëzore, në mënyrë që të nxirren rezultate.

“Në atë institut duhet të punojnë së paku 15 veta, 5-6 doktorë shkence, kryesisht juristë, por edhe ekonomistë, sociologë e psikologë dhe të bëhet një plan operativ. Të hulumtohet tërë Kosova. Të bëhet regjistrimi i krimeve ashtu siç bëhet regjistrimi i popullatës me rastin e regjistrimit, që çdo krim të evidentohet dhe të sistemohet dhe të botohet në libra, por edhe në mënyrë digjitale, në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, dhe nëse ka nevojë pjesë-pjesë edhe në gjuhën serbe”, ka thënë Salihu.

Sipas ekspertëve, mungesa e dokumentimit të krimeve ka çuar edhe në dënimin e një numri të vogël të kryesve. Për krimet e luftës, gjykatat në Kosovë kanë dënuar 35 shqiptarë e 4 serbë.

Të ngjashme