Qeveria “pajtohet” me kritikat e ambasadës së SHBA-së

Prishtinë | 15 Maj 2019 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Kritikat dhe shqetësimet e shprehura nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë në lidhje me emërimet e individëve të pakualifikuar në pozita të larta dhe individë të dënuar për krime lufte, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se i mirëkuptojnë dhe i shohim si këshilla të vlefshme.

Ndonëse komunikata e lëshuar nga ambasada amerikane fliste për një shqetësim tejet serioz, zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, duke i “mirëkuptuar” kritikat, thonë se kriteret profesionale duhet të jenë parakusht për përballimin e detyrave.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk do të dëshironte të fliste për raste specifike, por, siç tha ai, sistemi i emërimeve në Kosovë është i komplikuar.

Në kuadër të reagimeve nga ambasada dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett, kritikohet edhe emërimi i një ish-të dënuari për krime lufte, në postin e ambasadorit të Kosovës.

“Ne i marrim me mirëkuptim dhe si këshilla të vlefshme që kanë të bëjnë me emërimet. Unë jo vetëm si diplomat, por edhe si inxhinier e di që kriteret profesionale janë parakusht që çdo zyrtar duhet t’i ketë për t’i kryer detyrat”, tha zëvendësministri Berisha.

Ai tha se në Kosovë ende duhet kohë për t’i kuptuar mirë dhe drejt praktikat e shteteve të ndryshme evropianë për emërime.

“Mendoj se kjo ka të bëjë me gjithë shoqërinë, pa dashur të relativizojë vendimmarrësit, por kam frikë se niveli shoqëror i përgjithshëm i yni nuk ka arritur në shkallën, si të them, të pajtueshmërisë me praktikat evropiane të cilat ne i kemi marrë dhe i kemi vënë në letër si në formë të ligjeve e rregulloreve të tjera, por po shihet se kemi vështirësi të mëdha për t’i zbatuar”, tha Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme