Qeveria sapo vendosi: Hapen çerdhet, kafiteritë, kufijtë e qendrat tregtare

Prishtinë | 31 Maj 2020 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin t’i shfuqizojë disa nga vendimet që kishte ndërmarrë për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar vendimet të cilat më pas u votuan në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se vendimet vijnë pas analizës së situatës dhe rekomandimeve të IKShP-së.

“Rihapja e kopshteve dhe çerdheve mosha 0-5 vjeç, përgatitjet për testin e arritshmërisë, kthimi në shkollë i klasëve të nënta, organizimi i ambientit për testin e maturës. Të shfuqizohet vendimi për vetizolim. Të shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve, të hapen të gjitha pikat kufitare në Kosovë. Ata që vijnë nga jashtë dhe nuk e kanë kryer testin në afat kohor jo më shumë se 4 ditë, detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë. Shfuqizohet mbyllja e kafiterive, bareve restoranteve dhe qendrave tregtare”, tha Vitia.

Vitia bëri të ditur se më 20 qershor do të bëhet vlerësimi i masave.

Vitia shtoi se gjatë kësaj kohe do të ketë kontrolle të rrepta, për të parë nëse po respektohen masat e duhura në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ministrat e LDK-së nuk marrin pjesë në mbledhjen e Qeverisë

Ka filluar mbledhja e Qeverisë në detyrë, pa prezencën e ministrave nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në këtë mbledhje, në rend dite janë tri tema.

Shqyrtimi i propozim-vendimit për organizimin dhe funksionomin e Këshillit të ministrave për reformën e administratës publike dhe strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të reformës së administratës publike;

Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë, të datës 26 mars 2020, plotësimin dhe Ndryshimin e Vendimit të Qeverisë të datës 11 mars dhe shfuqizimin e pjesshëm të Vendimit të Qeverisë të datës 13 mars;

Shqyrtimi i Raportit vjetor të statistikave Zyrtare për vitin 2019.

Sipas njoftimit për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se pas mbledhjes do të ketë një konferencë të përbashkët nga kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Të ngjashme