Qeveria serbe: Nevojitet durim kolosal të bisedohet me shqiptarët

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 14:14 | Nga

Pas ministrit të jashtm serb, Ivica Daçiq, i cili i quajti “të marrë” politikanët shqiptarë sepse “duan ta pengojnë kur dikush u shkon në vizitë paqësore”, është edhe kryeministrja serbe ajo e cila ka vazhduar të rendisë “epitete” për politikanët e Kosovës.

“Duhet durim kolosal për të biseduar me përfaqësuesit aktualë të popullit shqiptar në Kosovë”, citojnë mediet serbe një kumtesë të Qeverisë së Serbisë.

“Nevojitet durim kolosal për të biseduar me përfaqësuesit aktualë të popullit shqiptar në Kosovë, të cilët janë joseriozë, të papërgjegjshëm, të paparashikueshëm dhe nuk i respektojnë marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara”, ka thënë kryeministrja serbe.
Ajo ka shtuar se, megjithatë, nevojitet “durim i pakufishëm për t’u kuptuar disa nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët në heshtje shurdhuese vështrojnë se si Prishtina as me gisht nuk lëvizë për ta plotësuar marrëveshjen e Brukselit, kur i shkel marrëveshjet mbi vizitat e zyrtarëve, e arreston dhe e terrorizon shefin e ekipit tonë për bisedime, ushtron presione kolosale mbi Listën Serbe të cilat ata njerëz me stoicizëm i durojnë për shkak të dialogut e kompromisit, për shkak të paqes së qëndrueshme në Kosovë, e tash, me të njëjtin terror të cilin e kanë bërë ndaj Marko Djuricit, kërcënojnë edhe kryetarin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Brnabiq.

Duke e vlerësuar Vuçiqin si kryetar “i cili ka bërë shumë për arritjen e marrëdhënieve të mirë ndërmjet serbëve e shqiotarëve më shumë se cilido politikën nga cilado palë në njëqind vitet e fudit”, ajo ka shtuar se, përkundër se serbët nuk i karakterizon durimi, “Vuçiq ka shfaqur durim të pakufishëm”.

Ajo i është drejtuar bashkësisë ndërkombëtare me lutjen që “të mos e vërë më në test as durimin, as mirëkuptimin tonë, por ta kuptojë seriozitetin e situatës dhe të sillet në harmoni me të”.

Të ngjashme