Qeveria shtyn edhe për pak kohë procedimin e Demarkacionit

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 13:29 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës ka shtyrë ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që të studiohen të gjitha mundësitë dhe argumentet shkencore rreth kësaj çështjeje.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ku ishte e paraparë që sot të procedohet nga Qeveria për në Kuvend Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e pikave kufitare me Malin e Zi.

Ai ka theksuar se me partnerin e koalicionit kanë  vlerësuar se ratifikimi i shënimit të vijës kufitare është proces i ndarë, i pavarur i cili do të bëhet me një informim të plotë të qytetarëve dhe sidomos deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët do të marrin vendimin lidhur me këtë.

“Së bashku me partnerin e koalicionit kemi vlerësuar se ka mundësi që akoma të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe të studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive për të argumentuar vërtetë që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve, që do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata në të cilat ne do të mund të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu tha se me të gjitha shënimet kufitare të Kosovës, me përjashtim të tyre, kur Kosova është cilësuar si Kosovë e Metohi, del se Kosova ka pasur 10 887, respektivisht 10.906 kilometra katrorë territor.

Mustafa ka shtuar se Qeveria do të punojë që akuzat e opozitës dhe të disa gjeografëve se Kosova ka humb territor me shënimin e kufirit me Malin e Zi të zbardhen dhe duhet të vërtetohen.

Ai ka kërkuar që të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve, ndonëse do të kërkojnë nga opozita që të tregojë se sa është territori i Kosovës, sipas tyre.

“Në të gjitha tekstet edhe të gjeografisë, në të gjitha hartat jo vetëm të periudhës së ’74, ’88, kur është përcaktuar dhe me Pakon e Ahtisarit përmbyllja e territorit të Kosovës, por edhe në të gjithë vjetarët statistikor që Kosova i ka pasur nga viti ’74 e tutje, territori i Republikës së Kosovës ka qenë 10 mijë e 887 kilometra katrorë dhe ky është territori zyrtar që Kosova ka pasur në atë periudhë, ndërkaq këtu nuk është përfshirë edhe periudha në të cilën Kosova është cilësuar si Kosovë dhe Metohi para vitit ’74”.

Evidencat e tanishme sipas Komisionit shtetëror flasin se Kosova ka 10 mijë e 906 kilometra katrorë, në bazë të saktësimit të matjeve, që nuk është më pak se që ka qenë përpara, por është pak më shumë sesa ka qenë territori i mëparshëm dhe është rezultat i shënimit të vijës kufitare të Kosovës me Maqedoninë dhe të vijës kufitare me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa.

Qeveria po ashtu e ka miratuar edhe Komisionin për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, si dhe disa pika të rendit të ditës si: Shqyrtimi i Projektligjit për Kamatëvonesat në Transaksionet Tregtare, etj.

Të ngjashme