Qeveria s’ka strategji në politikën e jashtme, kërkohet koordinim me fqinjët e ShBA-në për njohjet

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 09:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova nuk ka strategji e plan të qartë në diplomaci që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti 2, po vlerëson ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Deputeti i PDK-së në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Qeveria duhet të koncentrohet që ta rrisë kapacitetin në diplomaci të jashtme në mënyrë që të rritet numri i njohjeve për Kosovën.

“Parimisht ne nuk kemi fare politik dhe diplomaci të jashtme nga ardhja e Qeverisë Kurti 2. Kemi një situatë pasive dhe nuk kemi asnjë aktivitete të njohur në fushën e diplomacisë. Fatkeqësisht ministrja është inekzistente sa i përket këtij relacioni”.

“Qeveria Kurti duhet ta ketë të shtuar kapacitetin e saj në çështjen e diplomacisë së jashtme. Duhet të rritet numri i njohjeve për Kosovën. Duhet të lobohet për shtete e BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe shumë hapa të tjerë që duhet t’i marrë vendi në shkallë ndërkombëtare, por deri më tash nuk i kemi parë asnjë nga këto”, tha Shala.

Përderisa kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati tha se ka një përafrim të marrëdhënieve me Greqinë, duke theksuar se ka sinjale edhe nga Spanja për ta njohur Kosovën.

Ai tha se Kosova nuk ka asnjë gjasë që të bëhet pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës apo UNESCO pa përkrahjen e ShBA-së.

“Qeveria nuk ka shumë hapësirë për të manovruar e ka rrugën e dialogut. Kjo është ajo që iu ka thënë deri tani. Sigurisht që ka një moment të marrëdhënieve me Greqinë. Nuk e di a ishte e lidhur ky relaksim edhe kjo një mundësi e një njohje edhe me këtë projektin e gazit dhe disi ajo mbet. Ka një sinjal relaksimi nga Spanja, por jo larg sinjaleve për njohje të Kosovës”.

“Me Shqipërinë marrëdhëniet duhet të fuqizohen të kryhen këto marrëveshje që po lidhet në mënyrë që ne të operojmë si një hapësirë unike. Statusi kandidat është një e drejtë legjitime e Kosovës, por Kosova nuk e ka kryer liberalizimin e vizave. Është synim ambicioz dhe ajo do të jetë e vështirë pa përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa liberalizimin e vizave e shoh larg”.

“Në anën tjetër aplikimi në organizata të tjera ndërkombëtare është nga pak e kushtëzuar me marrëveshjen e Uashingtonit me faktin se cili është pozicioni i aleatëve tanë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk kemi asnjë gjasë që të bëhemi pjesë të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës apo UNESCO pa përkrahjen e aleatëve tanë. Nëse mesazhi i tyre është që të mosaplikohet ne mund të aplikojmë po vetëm dëshirohemi”, tha Murati për EO.

Kurse njohësi i çështjeve politike në vend Fatmir Sheholli theksoi se sa i përket politikës së jashtme duhet koordinim i jashtëzakonshëm me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi në mënyrë që të ndikojë në vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën.

“Politika e jashtme e Kosovës ka dështuar qe një kohë të gjatë dhe ne nuk e kemi tash e 3 vjet asnjë vend që ka njohur Kosovën. Sa i përket politikës së jashtme duhet koordinim i jashtëzakonshëm me Shqipërinë dhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi në mënyrë që ta bëjë një bashkëpunim të fuqishëm të ndikojë në vendet që nuk e kanë pranuar Kosovën dhe të kemi strategji afatgjate në këtë aspekt”.

“Pa zgjidhjen e dialogut me Serbinë duhet ta kuptojmë që do të jetë shumë vështirë që shtete e BE që nuk e kanë njohur Kosovën do të gjejnë metodë e cila do t’i shpie ata që të na pranojnë. Edhe pse ka përafrime të fuqishme që ndoshta Greqia mund ta pranojë Kosovën por që mendoj se janë spekulime që po ndërpriten ashtu siç është duke punuar Serbia për mundësinë që shtete që e kanë pranuar Kosovën ta heqin atë pranim ndaj shtetit të Kosovës”.

Të ngjashme