Qeveria vendos orë policore, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 22:05 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka marrë zyrtarisht vendim për “orën policore”, pas shfaqjes së virusit COVID-19 në Kosovë, lidhur me këto masa, Qeveria ka shkelur të drejtat themelore kushtetuese.

Nga dokumenti që ka siguruar lajmi.net, shihet se nga nëser më datë 24.03.2020, Qeveria e Kosovës do të ndalojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.

Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve do të të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Në Kosovë deri më tani nga virusi COVID-19 ka vdekur një person ndërsa janë mbi 33 të infektuar. Dje gjatë ditës, kufizime në qarkullim kishte kërkuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm kur shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme. Në të kundërtën, asnjë institucion nuk ka mandat t’ua mohojë atyre liritë dhe të drejtat themelore.

Qeveria e Kosovës, pas këtij vendimi ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës, që specifikohen qartë në Nenin 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme].

Neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme]

Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.
Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38 të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kujtojmë, se Kosova nuk ka ligj për “orë policore” dhe në Nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore], paragrafi 1 i Kushtetutës, thuhet se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.

Po ashtu, as Ligji Nr. 04/-L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera dhe as Ligji Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse nuk e parashohin mundësinë për një kufizim të tillë.

Gjendja e Jashtëzakonshme mund të shpallet edhe pa pajtueshmërinë e Qeverisë së Kosovës. Presidenti e ka obligim kushtetues të konsultohet me kryeministrin, por nuk e ka të nevojshme ta marrë pajtimin apo mospajtimin e tij. Për dekretin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme vendosin më pas deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Duke iu referuar pikës 4 të nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti e ka konsultuar kryeministrin për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë ka kërkuar nga kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë, që ta mbajnë edhe një takim të radhës në ditën e nesërme, ku do të koordinoheshin masat e domosdoshme me rastin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Për një takim të radhës në ditën e nesërme aty nuk ishte pajtuar kryeministri dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, në frymën e nenit dhe paragrafit përkatës që e obligon kryeministrin, presidenti i ka dërguar sërish kërkesë me shkrim për mbajtjen e takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë për t’i finalizuar masat që do të duhej të ishin në dekretin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Kryeministri është përgjigjur me një shkresë, ku ka theksuar se ndërkohë do të procedohet kërkesa e presidentit për thirrjen e takimit të Këshillit të Sigurisë. Por, duke mos e mbledhur Këshillin e Sigurisë në përputhje me kërkesën e presidentit, kryeministri ka bërë shkelje të nenit 127, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 5, paragrafi 5.4 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë.

Dekreti dhe masat për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme janë kompletuar nga ana e Zyrës së Presidentit, por në mungesë të takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë nuk është arritur ende që të merren edhe rekomandimet e anëtarëve tjerë të këtij këshilli, që vijnë nga radhët e Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme