Qeverinë e re e pret mal me çështje të hapura

Prishtinë | 22 Dhj 2019 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e re e Kosovës do të trashëgojë një listë të tërë çështjesh të pazgjidhura, thuhet në raportin e Grupit Ballkanik për Politika, ku pasqyrohen punët që i presin institucionet e reja, me theks të veçantë qeverinë.

Raporti shqyrton nevojat kryesore për reforma në fushën e Administratës Publike, përmbushjen e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) reformave të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), çështjen e dialogut me Serbinë, politikën e jashtme, sistemin e drejtësisë, edukimin, shëndetësinë, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria e re, e cila me gjasë do të formohet mbi bazën e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të trashëgojë shumë çështje të pazgjidhura.

Një nga çështjet të cilat përmenden në raport është edhe ajo e ligjeve dhe reformave të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Rashiti thotë se janë dy-tre instrumente të fuqishme të cilat përmes bashkëpunimit me BE-në dhe proceseve, siç është përmbushja e Agjendës për Reformave Evropiane (ERA) dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), mund të bëjnë ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve të Kosovës drejt përmbushjes së agjendës evropiane.

“Qeveria e re duhet të vazhdojë me reforma, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, paralelisht të lobojë te të gjitha vendet anëtare që më në fund të merret vendimi për liberalizim të vizave. Pra, ka ende shumë punë në raport me BE-në dhe reformat dhe do të bëhej një gabim trashanik nëse qeveria e ardhshme vendos të integrojë Ministrinë e Integrimit Evropian me atë të Politikës së Jashtme”, tha Rashiti.

Integrimi i ministrive, është një nga qëllimet e LVV-së dhe LDK-së që synojnë të pakësojnë numrin e ministrive.

Të ngjashme