Qeverisë i kërkohet të jetë më dashamirëse me opozitën, duhet unitet për dialogun me Serbinë

Prishtinë | 02 Pri 2022 | 08:59 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria duhet të jetë më dashamirëse ndaj opozitës dhe të jap hapësirë për bashkëpunim më konstruktiv për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballet vendi i ka thënë Ekonomia Online, profesori universitar, Arben Fetoshi.

Tutje ai thotë se pa një unitet është e vështirë që të tejkalohen sfida, duke theksuar se po unitet funksional pozitë-opozitë është vështirë të përballohet sfida më e madhe që ai e konsideron dialogu Kosovës-Serbi.

“Natyrisht unë besoj që situata nëpër të cilën po kalon vendi krizat e një pas njëshme kanë kërkuar që raportet në mes pozitës dhe opozitës të jenë më bashkëpunuese, më të shëndetshme në kuptimin e zgjidhjeve të ofruara dhe jo vetëm të një lufte që vazhdon ta karakterizoj raportin në mes pozitës dhe opozitës. Në këtë pikëpamje e kam thënë disa herë, besoj që Qeverisë i ka takuar që jetë më dashamirëse ndaj opozitës dhe të jap hapësirë për një bashkëpunim më konstruktiv për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballemi”.

“Jo vetëm në kuptimin e krizës së brendshme, që reflekton ngritjen e çmimeve dhe probleme të tjera që kanë qytetarët e vendit tonë por edhe sa i përket sfidës kryesore që kemi në politikën e jashtme dhe që është procesi i dialogut me Serbinë. E në këtë kuadër besoj që pa një unitet funksional të pozitës dhe opozitës do ta kemi të vështirë që ta përballojmë këtë sfidë të madhe që tashmë e ka kaluar një dekadë”.

Fetoshi në një intervistë për Ekonomia Online tha se gjendja politike në vend nuk është shumë e qetë.

“Gjendja politike në përgjithësi konsideroj që është jo shumë e qetë. Në qoftë se i referohemi opinionit publik për sa i përket shqetësimeve që lidhen me luftën në Ukrainë dhe për sa i takon marrëdhënie të Kosovës me Serbinë të cilat për një kohë shumë të gjatë tashmë nuk po shohin dritën e një konkludimi të suksesshëm të marrëveshjes në kuadër të bisedimeve me Serbinë. Për ndryshe jam i bindur që kemi të bëjmë me një situatë të qetë dhe nuk ka ndonjë rrezik potencial për vendin tonë”.

Sa i përket punës së Qeverisë së Kosovës, në periudhën një vjeçare, ai thotë se ka pasur dështime në politikën e jashtme dhe raporteve me partnerët ndërkombëtar.

Ai thotë se në planin e brendshëm ka pasur zhvillime të cilat mund të kualifikohen si pozitive, raporton EO.

“Në përgjithësi unë besoj që Qeveria ka mund të bëjë më shumë. Pra, në qoftë se kërkoni një përgjigje të shkurtë, përgjigjja ime do të ishte që ekzekutivi dhe institucionet e vendit kanë mundur të bëjnë shumë më shumë brenda këtij viti ndonëse nuk jam prej atyre që dua ta shoh me syrin kritik gjithçka që e ka karakterizuar punën një vjeçare të Qeverisë sidomos në planin e brendshëm ose në premtimin e tyre të luftës kundër korrupsionit që besoj që është një prej brengave të qytetarëve të vendit tonë. Mirëpo në anën tjetër këtë vit të Qeverisë e karakterizon një performancë jo e mirë sa i përket raporteve me partnerët tanë ndërkombëtar”.

“Pra në përgjithësi ajo që mendoj që e ka karakterizuar Qeverinë në planin e brendshëm besoj që ka pasur zhvillime të cilat mund të kualifikohen pozitive. Ndërkohë që në planin e jashtëm ose në politikën e jashtme kemi pasur çalime dështime, skandale të një pas njëshme të diplomacisë tonë, mungesë të një aktiviteti intensiv që do t’i përgjigjej sfidave me të cilat përballet Kosova nga ana e diplomacisë tonë dhe në përgjithësi raportet të cilat natyrisht unë besoj që Qeveria duhet të tregohet e vëmendshme për t’i kultivuar sa më shumë që është e mundur dhe për t’i forcuar sa më shumë marrëdhëniet që ne duhet të kemi me partnerët ndërkombëtar”.

Përderisa njohësi i rrethanave politike në vend, Bekim Kabashi në një intervistë për Ekonomia Online tha se gjendja politike në vend momentalisht është stabile.

Kurse sa i përket sigurisë në vend ai thotë se duhet të tregohemi më të kujdesshëm në veprime pasi mund të përballemi me një krizë të panevojshme.

“Gjendja politike mundem me thënë që është stabile për faktin se e kemi një Qeveri stabile shkaku i numrave që i kanë në Kuvend dhe i raporteve brenda koalicionit. Në pamje të parë duket që të jetë stabile. Çështja e sigurisë nuk është që ka ndonjë ndjeshmëri të madhe që ne mundemi me u shqetësuar për çështjen e sigurisë, por sigurisht lufta e Ukrainës e bënë më të ndjeshme situatën dhe këtë e thonë të gjithë. Na len me kuptu që duhemi me qenë pak më vigjilent, më të mobilizuar edhe për formën se si veprojmë, si reagojmë pasi që jemi në një ambient krize si rajon që është Ballkani. Raportet tona me Serbi dhe këto mund të ndikojnë në çdo moment nëse veprohen jo ndërgjegjshëm që ta qojnë situatën drejt një krize të panevojshme”.

Kabashi thotë se opozita nuk është shumë aktive, megjithatë sipas tij, raporti politik pozitë-opozitë është më i qeti që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Bashkëpunimi pozitë-opozitë, shihet një opozitë nëse nuk i themi konstruktive mundem me thënë një opozitë që nuk është shumë aktive dhe në këtë pikë i bie që bashkëpunimi është korrekt. Çdo herë opozita, nuk është që ka najfar raporti të bashkëpunimit me pozitën përveç raportit të oponencës, ndonjëherë edhe deri në atë shkallë që është oponencë e vrazhdë që e sfidon Qeverinë”.

“…në këtë rast ne kemi një opozitë të dobët për faktin se Qeveria është e fortë, i ka numrat që është e palëkundshme. Kështu që raporti politik pozitë-opozitë është më i qetë se sa ka qenë ndonjëherë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Tutje Kabashi tha se Qeveria aktuale nuk ka pasur skandale sa i përket korrupsionit e krimit, por ai shton se nuk ka projekte që japin shpresë për ndryshime pozitive.

“Qeverinë tash mundemi me shiku prej disa këndeve. Sa i përket skandaleve, aferave korruptive ku në media ose opinioni e ka syrin kryesor kritik në atë pikë, mund të themi që kjo Qeveri nuk e ka asnjë skandal të madh që mundesh me i thënë që ka bë gabime në këtë pikë dhe është për tu çmuar puna e saj. Sa i përket pjesës së projekteve, mund të themi që nuk ka projekte konkrete që jep shpresë për ndryshime pozitive”.

“Kosova është një vend i varfër, prej më të varfëve në rajon e mos të flasim për Evropë, me shkallë të lartë të papunësisë, me emigracion shumë të lartë dhe pavarësisht që Qeveria thotë që ka shifra të mëdha të punësimit ato nuk janë shifra që ne i shohim ose i prekim. Munden me që zyrtarizimi i vendeve të punës që ka qenë, por jo punësime të reja, 25 mijë punësime në Kosovë siç i prezanton qeveria, janë të pa kapshme për syrin tonë, ato nuk munden me qenë reale sepse Kosova është vend i vogël”.

Të ngjashme