Qeverisë i shuhen ministritë

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Republika e Kosovës në të ardhmen nuk do t’i ketë më shumë se pesëmbëdhjetë ministri dhe tridhjetë zëvendësministra në rast se do të miratohet Ligji për qeverinë.

Ky ligj, i cili pritet të aprovohet gjatë këtij viti, parasheh zvogëlim të numrit të ministrave, zëvendësministrave dhe të zëvendëskryeministrave.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se Ligji për qeverinë është gati dhe aktualisht janë në konsultime të brendshme.

Ai ka shprehur optimizëm se gjatë këtij viti do të miratohet ky ligj. “Tash po e trajtojmë me juristë dhe profesionistë sanksionimin e numrit të dikastereve qeveritare në kuadër të këtij ligji. Pastaj ligji do të dalë në diskutim publik dhe shumë shpejt besoj do të miratohet në qeveri, pastaj të procedohet në Kuvend. Ligji për qeverinë e përcjell logjikën e modeleve ndërkombëtare të ministrive kryesore”, ka thënë Tahiri.

Ai ka treguar se me Ligjin për qeverinë nuk duhet të ketë më shumë se 15 ministri dhe do të ketë jo më shumë se 30 zëvendësministra.

Sipas Tahirit, nuk do të ketë as zëvendëskryeministra me portofol.

“Do të thotë, kemi bërë një analizë krahasuese të vendeve evropiane që janë të ngjashme me Kosovën dhe kanë dalë nëntë ministri më kryesore dhe jemi duke i organizuar dikasteret në mënyrë që Qeveria e Republikës së Kosovës mos të ketë më shumë se 15 ministri. Me këtë ligj qeveria do të ketë jo më shumë se dy zëvendësministra dhe secili zëvendësministër do ta ketë detyrën e vet të sanksionuar si dhe do të ketë zëvendëskryeministra me portofol, pra nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa portofol. Përveç kësaj, në Ligjin për qeverinë i kemi identifikuar të metat përgjatë viteve të cilat i kemi sanksionuar me nene duke e penguar potencialisht keqpërdorimin e detyrës zyrtare e cila do të mund të ndodhte në mungesë të një ligji të saktë. Ndër vite kemi pasur një numër të madh të lëvizjeve sa i përket numrit të ministrive dhe kemi parë se në mungesë të një ligji rregulloret kanë ndryshuar hap pas hapi”, ka thënë Tahiri.

Analistët politikë e mirëpresin miratimin e këtij ligji, por janë skeptikë se mund të implementohet në praktikë.

Politologu Belul Beqaj ka thënë se një racionalizim i qeverisë është i domosdoshëm.

“S’do mend se një racionalizim i Qeverisë ka qenë i domosdoshëm. Nuk mund të prejudikoj epilogun por, besoj se është krijuar një vetëdije e përgjithshme se kjo çfarë po ndodhë me qeverinë Haradinaj është keqpërdorim flagrant i parasë publike”, ka shprehur Beqaj.

Megjithatë, bazuar në përvojën e deritanishme, ai ka vlerësuar se nuk përjashtohet mundësia që Ligji për qeverinë të mos aprovohet fare.

Nëse veç ndodhë një gjë e tillë, ai ka thënë se kjo tregon se në çfarë niveli është vetëdija jonë politike dhe kombëtare.

“Nuk e përjashtoj edhe këtë, ngase ne jemi popull që jemi në gjendje që me dhjetëra herë t’i përsërisim gabimet e njëjta, por kjo vetëm sa tregon se në cilin nivel është vetëdija politike dhe kombëtare”, ka deklaruar Beqaj.

Mirëpo numri i madh i dikastereve qeveritare, përveç që është kritikuar nga partitë opozitare në vend dhe nga shoqëria civile, ka marrë kritika edhe nga faktori ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të opozitës në vazhdimësi gjatë këtyre gati dy vjetëve të qeverisjes kanë vlerësuar se numri i madh i zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë është bërë për t’i rehatuar militantët e partive politike dhe jo për ta rritur efikasitetin e qeverisjes në shërbim të qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme