Me autobusë e vetura, serbët e Kosovës drejt Serbisë për të votuar në referendum

Prishtinë | 16 Jan 2022 | 11:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qindra qytetarë serbë të Kosovës ia kanë mësyrë kufirit drejt Serbisë për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.

Nga pamjet e Ekonomia Online shihen kolonat e gjata të qytetarëve të cilët po kalojnë kufirin matanë me autobusë dhe vetura.

Ndërkaq kujtojmë se në orët e para të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë e serbëve, drejtuar nga kreu i Listës Serbe, njëherësh ministër në qeverinë “Kurti”, Goran Rakiç.

Por sipas raportimeve të Policisë së rajonit kjo protestë ka përfunduar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Ndërsa pas votimit në një konferencë Rakiç bëri me dije se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Qytetarët e Serbisë po votojnë për ndryshimin e Kushtetutës

Në referendumin e së dielës (16 janar) qytetarët e Serbisë po vendosin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë.

Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Deri në orën 14, në referendum kanë marrë pjesë 15 për qind e votuesve.

Në referendum ka votuar herët në mëngjes edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai u tha gazetarëve se shpreson se ndryshimet në Kushtetutë do të konfirmohen sepse ato janë të rëndësishme për investitorët e huaj për të cilët sundimi i ligjit është një nga faktorët kryesorë kur vendosin për investime në Serbi.

Ivica Daçiq, president i parlamentit serb dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila merr pjesë në qeverinë serbe, tha gjatë votimit se nëse konfirmohen ndryshimet kushtetuese, legjislativi dhe ekzekutivi nuk do të kenë asnjë lidhje me gjyqësor.

Në mëngjesin e 16 janarit, në referendum ka votuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Të drejtë vote në referendum kanë mbi 6 milionë e 510 mojë votues, sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ).

Pyetja e referendumit thotë: “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”, dhe qytetarët mund të rrethojnë “po” ose “jo”.

Rikujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e lartcekur të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Ky vendim nxiti protesta tek serbët lokalë në Kosovë të cilët udhëtuan nëpër qytete të Serbisë për të pasur mundësi të votojnë në këtë referendum

Të ngjashme