QKSS: Qytetarët vazhdojnë ta shohin ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin e radhës për Barometrin e Sigurisë në Ballkan Perëndimor.

Sipas raportimit të radhës, thuhet se shumica e qytetarëve në Kosovë e shohin ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Ky raport përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë ofron një pasqyrë të rezultateve të perceptimeve të publikut në Kosovë në lidhje me kërcënimet që rrjedhin nga forma të ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm. Kurse pjesa e dytë fokusohet në perceptimet e qytetarëve në lidhje me Riintegrimin dhe Rehabilitimin e qytetarëve të Kosovës të riatdhesuar nga Siria, si dhe në gatishmërinë e tyre për t’i pranuar këta të fundit në komunitetet e tyre përkatëse. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta perceptojnë ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Shumica (76%) e të anketuarve të BSBP-së besojnë se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim të lartë ose kërcënim për Kosovën. Sa për format e ekstremizmit të dhunshëm, qytetarët e Kosovës e shohin dhunën në baza etnike/kombëtare si më kërcënuesen, me 42 për qind të të anketuarve që mendojnë se ajo paraqet kërcënim të lartë për sigurinë e Kosovës”, thuhet në raport.

Dhuna në baza politike perceptohet si kërcënim i lartë për sigurinë e Kosovës nga 38 për qind të anketuarve, ndërsa dhuna në baza festarë perceptohet si kërcënim nga 34 për qind e të anketuarve.

“Kosova, si shtetet tjera evropiane, është përballur me sfida sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në konfliktet e huaja. Të dhënat e BSBP-së tregojnë se 37 për qind e të anketuarve i shohin qytetarët që janë kthyer në Kosovë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak si kërcënim për vendin. Përkundër sfidave, është e rëndësishme të theksohet se të dhënat e BSBP-së tregojnë se kosovarët e mbështesin punën e qeverisë së Kosovës për riatdhesimin e qytetarëve nga Siria”, thuhet në raportin.

65 për qind e të anketuarve mbështesin riatdhesimin e gjithë qytetarëve që janë ende në Siri, ndërsa 15 për qind mendojnë se duhet të riatdhesohen vetëm gratë dhe fëmijët e mbetur.

Qëndrimet pozitive vërehen në perceptimet e qytetarëve për qasjen që duhet të zbatohet ndaj atyre që kthehen nga zonat e konfliktit në Siri.

“65 për qind e të anketuarve besojnë se qasja/masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në riintegrim, për dallim nga 11 për qind që besojnë se të kthyerit duhet t’u nënshtrohen masave ndëshkuese dhe shtatë për qind e të anketuarve që besojnë se nuk ka nevojë për ndonjë masë specifike. Një rezultat mjaft shqetësues vërehet në lidhje me gatishmërinë e qytetarëve për t’i pranuar dhe mirëpritur sërish në komunitet fëmijët që janë kthyer nga Siria dhe Iraku. Në këtë aspekt, shumica e të anketuarve (57%) nuk do të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e riatdhesuar, pasi që besojnë se ata mund të kenë efekt negativ tek fëmijët e tjerë. Nga ana tjetër, 35 për qind e të anketuarve nuk do ta kishin problem të lejonin që fëmijët e tyre të shoqëroheshin me fëmijët e kthyer”, thuhet në raport.

Të ngjashme