Qorrolli: Presidenti duhet të presë përgjigjen e Kurtit për mandatarin

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 17:57 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet që në një afat sa më të arsyeshëm t’i përgjigjet presidentit Hashim Thaçi,  i cili dje ka kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje të jap emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë, raporton Ekonomia Online.  Kështu ka vlerësuar profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Vigan Qorrolli.

Ai ka thënë se mundësia e parë është që Kurti të propozojë një mandatar të ri. Por, nëse ai nuk e bën një gjë të tillë presidenti prapë mund ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese mbi një interpretim të ri, sepse Gjykata Kushtetuese mund ta zëvendësoj vetëm me një aktgjykim të ri

“Presidenti mbrëmë ka dërguar një shkresë kryeministrit në detyrë Kurti që të propozojë një mandatar të ri dhe tash Kushtetuta bie në heshtje dhe nuk ka një afat të përcaktuar kohor i cili do ta obligojë Kurtin t’i përgjigjet letrës së presidentit Thaçi. Por duke mos abuzuar me këtë afat të paparaparë kushtetues Kurti nuk mund të prolongojë për 12 muaj përgjigjen. Por, duhet të ketë afat të caktuar kohor. Kurti do të duhej që brenda një afati të arsyeshëm kohor t’i përgjigjet presidentit Thaçi në dy mundësi që ta propozojë një mandatar të ri që nuk mund të jetë ai dhe plani i dytë të heqë dorë nga e drejta e formimit të qeverisë, sepse nuk ka një shumicë prej 61 votash”, ka thënë Qorrolli.

Sipas tij, nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti heqë dorë nga propozimi i një kandidati, atëherë presidenti Thaçi mund ta nominojë një kandidat nga partia e dytë.  

“Por pa u shprehur Kurti, presidenti nuk mund të shkojë më tej. Ditën që ka rënë koalicioni ne kemi rënë në një ngërç politik. Nëse nuk përgjigjet Kurti, presidenti prapë mund ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese mbi një interpretim të ri, sepse Gjykata Kushtetuese mund ta zëvendësoj vetëm me një aktgjykim të ri’’, ka shtuar Qorrolli.

Ai ka thënë se në situatën që ndodhemi nga pandemia e Coronavirusit, organizmi i zgjedhjeve është i pamundshëm.

“Duhet të lejohet një afat kohor brenda të cilit qeveria në detyrë vazhdon të funksionojë kompetencat e veta në mënyrë që në shtator të shkohet në zgjedhje.  Megjithatë një legjitimitet i ri mund të krijojë  institucione më stabile’’, shtoi ai.

Por në një situatë të tillë sipas tij, rrezikohet të thellohet kriza.

“Synimi i aleatëve tanë është kalimi i marrëveshjes me Serbinë. Nëse ne shkojmë në zgjedhje në shtator, në muajin e parë mbahen zgjedhjet në ShBA, pastaj fushata koncentrohet vetëm në zgjedhjet elektorale në krijimin e një administrate të re Trump, eventualisht Bayden ose Sanders. Në këtë situatë do të hyjmë në një vjeshtë me të panjohura ne rrezikojnë të hyjmë në kriza të thella politike, sepse të gjithë do të barrikadohen kundër qeverisë  Kurti’’, vlerësoi Qorroli.

Qorrolli ka përmendur edhe mënyrën se si janë rrëzuar Qeveritë e kaluara.

‘Kemi një aktgjykim të gjykatës kushtetuese të vitit 2014 e cila është norma plotësuese e kushtetueses së Kosovës dhe secila pikë e atij aktgjykimi nënkupton që ato janë një lloj zëvendësimi i kushtetutës sepse asnjë kushtetutë në botë nuk mund të parasheh të gjitha situatat. Në vitin 2010 ushtruesi i detyrës së Republikës së Kosovës në atë kohë Jakup Krasniqi, e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës për të përdorur nenin 82.2 të kushtetutës i cili i lejon një shkallë të caktuar të diskrecionit të presidentit që në rast se mocioni i mosbesimit kalon në kuvend atëherë mund të shpërndahet kuvendi. Dhe kushtetua e përdorë fojlen modale mund dhe jo duhet dhe kjo duhet të lexohet si ndërlidhje me çdo funksion tjetër me nenin 44 të kushtetutës dhe me nenin 95 që flet për zgjedhjet e qeverisë, si për herë të parë dhe për herë të dytë”, tha ai.

Qorrolli ka kujtuar se në vitin 2017,  Presidenti nuk e ka shfrytëzuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ndërsa, kësaj radhe presidenti e ka shfrytëzuar aktgjykimin dhe i ka dhënë mundësi LVV-së sipas të propozojë një mandatar të ri.

“Në vitin 2017 presidenti i atëhershëm dhe i sotshëm Hashim Thaçi e ka përdorur nenin 82.2 të kushtetutës kur e ka shpërndarë Kuvendin pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit për qeverinë e drejtuar në atë kohë Isa Mustafa. Në të njëjtën ditë e ka bërë duke shfrytëzuar diskrecionin e tij dhe duke mos lejuar që të përdoret aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili në atë kohë ishte në fuqi”, tha ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme